KALIFORNI-Rreth 31,000 persona janë nën një urdhër evakuimi të detyrueshëm dhe 23,000 të tjerë janë paralajmëruar se mund t’u duhet të largohen nga shtëpitë e tyre, pas një tjetër vatër zjarri u aktivizua në Kaliforni.
Zjarri, i quajtur 'Hughes', filloi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm (23 janar) pranë liqenit Castaic, rreth 40 milje nga zjarret Eaton dhe Palisades që shkatërruan pjesë të Los Angelosit në fillim të këtij muaji, sipas mediave të huaja.
Brenda pak orësh, Departamenti i Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni (Cal Fire) tha se zjarri ka djegur 9,400 hektarë, ndërsa sqaruan flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
“Situata mbetet dinamike dhe zjarri mbetet një zjarr i vështirë për t’u frenuar”, tha shefi i zjarrfikësve të kontesë së Los Anxhelosit Anthony Marrone.
Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë që nga fillimi i zjarreve pothuajse dy javë më parë në Los Angeles. Numri i viktimave shkoi në 24. Dëmet më të mëdha nga zjarret janë shkaktuar në Palisades, një lagje në brigjet e Oqeanit Paqësor. Deri më tani mijëra banesa janë shkrumbuar, mes tyre shtëpitë e VIP-ave, të cilët u detyruan të evakuoheshin. Hollywood ka ndaluar të gjithë aktivitet e tij, si shfaqja e premierave të ndryshme të filmave ose regjistrimet për disa filma të ndryshëm.
Ky zjarr konsiderohet si një nga më shkatërruesit që ka goditur ndonjëherë Los Anxhelosin dhe zjarrfikësit kanë luftuar të paktën 5 vatra të veçanta në ditët e fundit, ndërsa dy më të mëdhenjtë, në qarqet Eaton dhe Palisades, janë plotësisht jashtë kontrollit. Mungesa e ujit në të gjithë Los Anxhelosin e ndërlikon më tej situatën.
Por autoritetet ende nuk caktojnë dot shkakun e flakëve. Shkencëtarët vlerësuan se zjarret e shkaktuara nga erërat e forta erdhën në një kohë veçanërisht problematike për Kaliforninë Jugore, sepse nuk kishte pasur reshje të konsiderueshme në muajt e fundit. Hetimet për shkaqet vijojnë, ndërsa meteorologët bëjnë të ditur se kushtet e pafavorshme për përhapjen e zjarrit do të zgjasin./ZËRI