
SHKUP- Një skandal ka përfshirë Maqedoninë e Veriut! Sot në mëngjes është arrestuar pjesëtari i sigurimit të kryeministrit, Hristijan Mickoski. Angel Samarakov, ish-punonjës i Ministrisë së Punëve të Brenshme është kapur duke dhënë informacione konfidenciale disa personave në lagjen e Shkupit, "Grcec". Lagje, e cila njihet për praninë e grupeve të krimit të organizuar. Informacioni u konfirmua nga Ministria e Brendshme pasi disa media vendase filluan që të spekulonin.
Samarakov është kapur në flagrancë duke u dhënë informacione konfidenciale disa personave që ende nuk janë identifikuar. Po ashtu, nuk dihet se çfarë informacioni u ka dhënë dhe nëse ka lidhje me kreun e qeverisë.
Samarakov në mbrëmjen e 30 marsit në parkingun përballë një hoteli në Veles është takuar me një person dhe i ka treguar dokumentet zyrtare të MPB-së të cilat përbëjnë sekret zyrtar. Ai e lejoi dëshmitarin t'i fotografonte dokumentet. Për këtë shërbim ka marrë një shumë prej 50.000 euro nga personi që nuk është identifikuar me emër. Kjo vepër sipas nenit 360 të Kodit Penal, dënohet me burgim të paktën 1 vit.
Por, kjo nuk është hera e parë që një pjesëtar i sigurimit të Mickoskit përfshihet në një incident të rëndë. Vetëm pak muaj më parë, shefi i sigurimit të tij, Ivica B., ka sulmuar fizikisht një koleg polic, i cili ishte në detyrë në orët e para të mëngjesit. E gjitha ndodhi kur Policia u fut për kontroll në një lokal të njohur të Shkupit, që dyshohet se ishte bazë për trafikun e drogës.
Ivica B., i cili ishte i pranishëm në lokal, tentoi të prishte aksionin dhe sulmoi kolegun./ZËRI