Bota

Sot Kosova 17 vjet shtet! Ngrihet flamuri, Kurti e Osmani homazhe: Kujtojmë sakrificën shekullore (URIMET)

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

F.I
Sot Kosova 17 vjet shtet! Ngrihet flamuri, Kurti e Osmani homazhe: Kujtojmë
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

KOSOVË-Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë! Një sërë organizimesh, nga mbledhja festive e qeverisë së vendit deri te parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës, për nder të këtij përvjetori. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Osmani e Kurti kanë vendosur kurora lulesh te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë. 

Osmani falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën e sakrifikuan për një Kosovë të lirë. Para mediave, ajo tha s’ka asgjë që e ndalë Kosovën e pavarur dhe sovrane për të ecur përpara.

“Është një ditë që ne ju themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan  dhe dhanë gjithçka në mënyrë që ne sot së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike. Duke filluar nga arkitekti i Pavarësisë sonë, presidenti historik, dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri tek secili qytetarë i Republikës sonë që sakrifikoi me mundë e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Edhe një herë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, faleminderit për kontributin e dhënë, do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme. Urime!”, tha Osmani.

Në 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, një urim ka ardhur edhe nga kryministri i Kosovës Albin Kurti. Ai tha se në këtë ditë duhet që të nderohen të gjithë ata që sakrifikuan për liri, ndërsa theksoi se sot Kosova është më e fortë se asnjëherë më parë.

'Ne sot nderojmë të gjithë ata të cilët sakrifikuan edhe u flijuan për lirinë tonë. Liria për të cilën kemi sakrifikuar kërkon demokraci që mundëson të dëgjohet zëri i popullit . Demokracia kërkon institucione të sigurta. Republika jonë sot është më e fortë dhe vitale si kurrë me parë sepse forcuam institucionet demokratike dhe kemi ndërtuar institucionet tona që janë në shërbim të qytetarëve. Kemi ndërtuar shtet solidar për qytetarët”, tha Kurti.

Në ditën e pavarësisë krerët e shtetit shqiptar dhe jo vetëm kanë përcjellë urimet më të mira për Kosovën.

Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjete sociale, ka uruar: Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë!

Urimi erdhi dhe nga presidenti Bajram Begaj.

"Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje!"-u shpreh Begaj.

Edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka uruar nga burgu 313 Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë. Meta shkruan se PL është e vendosur për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës. 

'Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur! Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë. Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB. Urimet më të përzemërta vëllazërore!', shkruan Meta.

Më 17 shkurt të vitit 2008, parlamenti i Kosovës, në deklaratën e lexuar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik, duke përfunduar aspiratën e mbarë kombit.  Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë. Më 18 shkurt 2008 presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë./ZËRI

Poll

MOS HUMB