
ROMË- Qendrat e emigrantëve në Shqipëri kanë qenë kryefjala e diskutimeve mes liderëve të Bashkimit Evropian, po ashtu një “mollë sherri” në Parlamentin italian. Ndërtimi i qendrave për emigrantët në Gjadër dhe Shëngjin iu kushtoi qeverisë italiane 1 miliard euro, padyshim pritej që aty të qëndronin emigrantët, por u kthyen në strehë… për qentë.
Sipas gazetës britanike “The Guardian”, plani i Italisë ishte i qartë 3000 njerëz në muaj, ku do të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, por kjo nuk ndodhi pasi Gjykata e Romës e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane Ndërkombëtare.
Gazeta përmes një artikulli shkruan se muaj para se të nënshkruhej marrëveshja mes kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe homologut të saj Edi Rama, Organizata Joqeveritare të shumta, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet njerëzore apo edhe e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë që nga viti 1993, por ato u janë refuzuar.
Artikulli i plotë:
Kur Italia hapi qendrat e emigrantëve në Shqipëri në tetor, plani ishte i qartë: 3,000 njerëz në muaj të kapur në ujërat italiane dhe do t'i shqyrtonin kërkesat e tyre për azil përtej kufijve të Italisë, të monitoruara nga oficerët e policisë italiane. Dy muaj më vonë, gazetarët shqiptarë, që paraqiteshin si turistë biseduan me disa nga oficerët që qëndronin në një hotel me 5 yje në Shëngjin, porti shqiptar që strehon qendrën e emigrantëve.
“Kemi ardhur këtu për punë, jemi sigurimi i qendrës së emigrantëve, por nuk ka emigrantë në ambiente, ata janë transferuar në Itali,” u thanë oficerët gazetarëve të emisionit “Piranjat”.
“Jemi vetëm ne këtu. Ne paguhemi për të sjellë si turistë: mëngjes, darkë dhe sauna, të gjitha falas – paguan qeveria italiane”, rrëfyen ata.
Objektet në Shëngjin ku u dërguan të punojnë janë bosh: ajo që ishte paraqitur nga Komisioni Evropian si një model i ri për mbajtjen e emigrantëve jashtë BE-së, i themeluar pasi gjyqtarët italianë e vendosën të paligjshme qëndrimin e refugjatëve të kapur në det në Shqipëri, përpara se të riatdhesoheshin në vende, si Bangladeshi dhe Egjipti, të konsideruara "të sigurta" nga Roma. Vetëm 24 azilkërkues janë dërguar në Shqipëri dhe asnjë nuk ndodhet atje. Pesë qëndruan më pak se 12 orë në një qendër paraburgimi, ndërsa pjesa tjetër qëndroi pak më shumë rreth 48 orë.
Në një kohë kur Italia po përpiqet të balancojë buxhetin e saj, duke shkurtuar fondet për arsimin, shëndetin dhe sigurimet shoqërore, partitë opozitare e kanë quajtur marrëveshjen midis Romës dhe Tirnës, e cila do të kushtojë rreth 1 miliardë euro për pesë vjet, një “fatkeqësi financiare”.
Oficerët e policisë italiane të regjistruar fshehurazi nga televizioni shqiptar janë mes disa dhjetëra që kanë mbetur në Shqipëri. Në nëntor rreth 50, së bashku me dhjetëra punonjës socialë, u kthyen në Itali kur u zbulua se objektet ishin bosh. Në fund të nëntorit, gazeta italiane “Domani” zbuloi se një tjetër qendër paraburgimi shqiptare, në Gjadër, e destinuar për të strehuar azilkërkuesit, ishte pushtuar nga qen endacakë, që ishin birësuar nga 15 oficerët e burgut të vendosur atje.
“Oficerët e burgut janë kujdesur për qentë me dashuri dhe durim, duke u siguruar atyre ushqim, ujë, kujdes të përditshëm mjekësor dhe mbi të gjitha, një mjedis të sigurt dhe të dashur”, thuhet në gazetë pas vizitës në qendër.
Sikleti i qeverisë italiane lidhur me skemën, e sulmuar nga partitë opozitare si një "dështim i plotë", ka provokuar një grindje midis autoriteteve dhe gjyqtarëve, të cilët janë akuzuar nga partitë e ekstremit të djathtë për pengim të projektit pasi mbështetën një vendim të 4 tetorit nga gjykata evropiane e drejtësisë se një vend jashtë bllokut nuk mund të shpallet i sigurt nëse i gjithë territori i tij nuk konsiderohet i sigurt.
Muaj përpara se të nënshkruhej marrëveshja mes kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar, Edi Rama, OJQ të shumta, akademikë dhe ekspertë kishin ngritur dyshime nëse ajo mund të konsiderohet njerëzore apo edhe e ligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Disa shtete evropiane kanë propozuar zgjidhje të ngjashme me marrëveshjen e Italisë me Shqipërinë që nga viti 1993, por propozimet e tyre janë refuzuar.
Italia ka treguar se iniciativa është në pritje pasi ajo kërkon një zgjidhje që nuk shkel ligjet ndërkombëtare humanitare.
“Qendrat për emigrantët në Shqipëri do të funksionojnë, edhe nëse më duhet të kaloj çdo natë atje nga tani deri në fund të mandatit të qeverisë italiane”, këmbënguli Meloni.
Besueshmëria e kryeministres është në rrezik pasi qeveria e saj e ka bërë emigracionin një çështje qendrore të fushatës dhe ka kritikuar paraardhësit për shpenzimin e parave publike për menaxhimin e krizës së migracionit. Transporti në rrugë detare me një anije ushtarake italiane për tetë oficferë që mbërritën në Shqipëri kushtoi 250,000 € – më shumë se 31,000 € për person.
“Pse duhet t'i hedhim kështu paratë e italianëve? Pse të lëmë forcat e rendit me pushime në Shqipëri kur kemi nevojë për personel në qytetet tona?” tha Matteo Renzi, kreu i partisë opozitare Italia Viva dheish-kryeministri italian, i cili propozoi që të burgosurit shqiptarë në Itali të zhvendosen në objektet në Shqipëri.
“Marrëveshja e migracionit në Shqipëri është një nga farsat më të mëdha në historinë tonë. Ka kushtuar një miliard euro dhe po shërben si strehë për qentë”, tha Renzi. /ZËRI