SHBA- Presidenti Donald Trump tha të martën se po pezullon operacionin e ri ushtarak amerikan në Ngushticën e Hormuzit për shkak të përparimit në negociatat me Iranin për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.
Trump shkroi në platformën e mediave sociale Truth Social të martën në mbrëmje, më 5 maj, se vendimi u mor pas kërkesave nga Pakistani dhe disa vende të tjera, si dhe përparimit në bisedimet me Iranin drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare.
“Bazuar në kërkesën e Pakistanit dhe vendeve të tjera... dhe, përveç kësaj, në faktin se është bërë një Përparim i Madh drejt një Marrëveshjeje të Plotë dhe Përfundimtare me Përfaqësuesit e Iranit, ne kemi rënë dakord reciprokisht që, ndërsa Bllokada do të mbetet në fuqi dhe efekt të plotë, Projekti Liri do të ndalet për një periudhë të shkurtër kohore për të parë nëse Marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet apo jo”, shkroi Trump të martën në Truth Social.
Operacioni për të “udhëzuar” anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, i cili u nis të hënën, çoi në një shkëmbim zjarri midis SHBA-së dhe Iranit dhe në sulme raketore iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe për herë të parë që nga shpallja e armëpushimit një muaj më parë.
Njoftimi i Trump erdhi ndërsa tensionet u përshkallëzuan në Gjirin Persik, me ushtrinë amerikane që tha se shkatërroi disa anije iraniane në Ngushticën e Hormuzit, si dhe raketa lundrimi dhe dronë. Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se mbrojtja e tyre ajrore u përball me sulme me raketa dhe dronë nga Irani për të dytën ditë me radh , ndërsa një anije tjetër tregtare në Ngushticën e Hormuzit raportoi se u godit nga një "predhë e panjohur".
Nga ana e saj, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit publikoi një hartë të re të ngushticës, me një zonë të zgjeruar të kontrollit iranian, dhe të martën i paralajmëroi anijet të qëndronin në korridoret që ka vendosur ose do të përballeshin me një “përgjigje vendimtare”./ZËRI