
KROACI-Ministri i Bujqësisë dhe zëvendëskryeministri kroat Josip Dabro ka dhënë dorëheqjen pas publikimit të një videoje ku ai shfaqet duke qëlluar me pistoletë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ai tha se jep dorëheqjen për arsye morale.
“Dorëzoj dorëheqjen time të parevokueshme nga posti i Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit për arsye morale. Gjatë mandatit tim, jam udhëhequr nga një vizion dhe vendosmëri e qartë për të bërë ndryshime shumë të nevojshme në Departamentin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit, duke luftuar kundër parregullsive dhe duke vendosur marrëdhënie transparente dhe të drejta në departamentin tim. Mirëpo, në atë proces jam përballur me presione dhe kërcënime të konsiderueshme dhe aktualisht jam nën mbrojtjen e policisë”, ka shkruar Dabro.
Në pamje zyrtari i lartë kroat shfaqet duke qëlluar xhami i një makine me një pistoletë. Dabro gjuan nëntë herë nga një pistoletë HS-2000 përmes një dritareje të hapur. Duket se ai ka qëlluar afër një zone të banuar pasi mund të shihet ndriçimi i rrugës dhe në një moment shihet një shtëpi. Në video, Dabro fillimisht ngarkon pistoletën dhe thotë “Vetëm për vëllanë tim Mario”. Pas publikimit të videos kanë nisur tashmë hetimet e autoriteteve përkatëse kroate./ZËRI