
IZRAEL-Presidenti Milorad Dodik ka arritur të arratiset pavarësisht një urdhri arresti ndaj tij. Më herët mediat serbe raportuan se Dodik ia arriti që të kalonte kufirin për në Serbi, pavarësisht se ndaj tij është prerë një urdhër-arresti, por vendi ku ka zgjedhur të 'fshihet' qëndron shumë larg Bosnjë-Hercegovinës.
Pas qëndrimit në Beograd, ai ka udhëtuar drejt Izraelit, ku ka bërë një deklaratë përmes rrjetit social “X”. Dodik shprehu respektin e tij për Izraelin, duke theksuar se ky vend mishëron forcën dhe vendosmërinë për të mbrojtur lirinë dhe sigurinë.
"Fillova vizitën time në Izrael. Izraeli tregon se liria dhe siguria nuk kanë çmim dhe se një popull që e di kush është nuk pranon të jetë as objekt, as i nënshtruar. Ashtu si Izraeli mbron veten pa kërkuar falje, ashtu edhe Republika Serbe mbron të drejtën e saj për të ekzistuar, vendosur dhe ruajtur betimin e paraardhësve. Izraeli ashtu siç Republika e Serbisë ka të drejtë të jetojë, të durojë dhe të mbajë qëndrimin e saj. Serbët dhe hebrenjtë janë popuj që u përpoqën të zhdukeshin plotësisht - dhe ata mbijetuan. Kjo është arsyeja pse ne e kuptojmë njëri-tjetrin. Dhe kjo është arsyeja pse ne qëndrojmë së bashku,"-shprehet Dodik në reagimin e tij.
Почео сам посјету Израелу, земљи чију снагу, историју и одлучност дубоко поштујем.
— Милорад Додик (@MiloradDodik) March 25, 2025
Израел показује да слобода и безбједност немају цијену и да народ који зна ко је - не пристаје да буде ни мета ни послушник.
Као што се Израел брани без извињавања, тако и Република Српска брани… pic.twitter.com/IhvsuzjYHn
Milorad Dodik kishte planifikuar të merrte pjesë në Konferencën kundër Antisemitizmit në Jerusalem, Izrael, më 26 dhe 27 mars, sipas njoftimeve të mëparshme. Largimi i Dodikut shkaktoi reagim të Policisë Kufitare në Bosnjë-Hercegovinë, pasi me urdhër të drejtorit Mirko Kupresakoviç nisi një hetim mbi mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin shtetëror.
Gjykata e BeH urdhëroi paraburgimin dhe lëshoi një urdhër arresti për Dodikun, si dhe për kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Vishkoviç dhe kryetarin e Parlamentit të entitetit, Nenad Stevandiç. Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “sulmit ndaj rendit kushtetues”. Urdhri nënkupton që çdo oficer policie në vend që i ndeshet duhet t’i arrestojë menjëherë.
Presidenti i Republikës Srpska u dënua më 26 shkurt me 1 vit burg dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyrën e presidenti për 6 vjet, pasi refuzoi të zbatonte direktivat e përfaqësuesit të lartë Christian Schmidt. Vendimi nuk është përfundimtar dhe Dodik mund ta apelojë atë. Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshme dy ligje jokushtetuese të Republikës Srpska, të cilat më parë ishin shfuqizuar nga Përfaqësuesi i Lartë.
Bëhet fjalë për ligjet mbi moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje-Hercegovinës, dhe moszbatimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në territorin e Republika Srpskas. Llukiç akuzohej për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve në Gazetën Zyrtare të Republikës Srpska./ZËRI