Bota

"Ushqim me gurë, minj e tortura"/ Britaniku tregon se si mbijetoi në burgun më të ashpër të Tajlandës

Në një rast, ai kaloi më shumë se katër muaj i mbyllur në një qeli të vogël, i lidhur me zinxhirë të rëndë.

F.I
"Ushqim me gurë, minj e tortura"/ Britaniku tregon se si mbijetoi
Jonathan Wheeler

TAJLANDË- Një vendim i gabuar ndryshoi jetën e Jonathan Wheeler përgjithmonë, duke e bërë atë të kalojë 18 vjet në burgjet më të ashpra të Tajlandës. Punëtori britanik, i cili u largua nga Anglia për një fillim të ri, e gjeti veten duke jetuar një makth që i kushtoi gati dy dekada liri.

Wheeler, nga Holbury, Hampshire, siç raporton Daily Mail, ishte fillimisht në Tajlandë me synimin për të eksploruar vendin dhe për t'u përfshirë në boksin Thai. Së shpejti, ai ëndërroi të hapte një restorant dhe shkollë boksi në jug të vendit. Megjithatë, rruga e gabuar, për të përmbushur ëndrrën e tij, duke transportuar heroinë nga Bangkok në Tajvan, rezultoi katastrofik. Wheeler u arrestua në aeroportin e Bangkok para se të kalonte sigurinë. Edhe pse fillimisht u deklarua fajtor, dënimi i tij u rrit fillimisht në 50 vjet, pasi alternativa ishte dënimi me vdekje.

"Pjesa më e vështirë ishte të dija se dënimi im po përfundonte në moshën 83 vjeçare. Është një vend që të shkatërron, të lodh. Shumë njerëz vdesin atje” -tha Wheeler.

Qelitë ishin të mbushura me buburreca, minj dhe çimka, ndërsa të burgosurit ishin grumbulluar në dhoma që mezi përshtateshin. Më pas ai u transferua në burgun Bang Quang, i njohur edhe si “Tigri i Madh”, ku mbahen të burgosurit e dënuar më rëndë.

"Kushtet ishin të paimagjinueshme. Ushqimi ishte plot me gurë dhe të burgosurit shpesh përdornin heroinë në tualete. Korrupsioni ishte i rrënjosur thellë. Rojet e burgut bashkëpinonin me të burgosurit sepse mund të bënin shumë para nga tregtia e drogës, dyqanet e burgjeve dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Dhuna ishte një dukuri e përditshme. Një herë pashë një të burgosur të vriste një tjetër me thikë sepse nuk i paguante borxhet e tij të lojërave të fatit. Vetë gardianët i rrihnin shpesh pa mëshirë të burgosurit, ndërsa korridoret ktheheshin në kazino ku të burgosurit paguanin për të marrë pjesë,"-tregon ai.

Wheeler mbijetoi falë mbështetjes financiare të familjes së tij, por edhe praktikës së boksit tajlandez, që i dha kuptim dhe e ndihmoi të duronte mizoritë.

Momentet e tij më të këqija ishin kur ishte në izolim.

Në një rast, ai kaloi më shumë se katër muaj i mbyllur në një qeli të vogël, i lidhur me zinxhirë të rëndë. “Kam humbur mendjen. Gjithçka që doja ishte të dilja jashtë”, tha ai. Për ta arritur këtë, ai ka kryer me dashje akte që e dërguan në spitalin e burgut, ku kushtet ishin më humane.

Pas 18 vitesh, Wheeler u lirua në vitin 2012 për shkak të një amnistie të dhënë për ditëlindjen e 80-të të Mbretëreshës së Tajlandës. Ai u kthye në Britani, por pasojat e burgimit vazhdojnë ta prekin atë. Vajza e tij, e cila ishte dy vjeç kur u arrestua, me kalimin e kohës u largua prej tij. Pavarësisht vështirësive, ai ruan kontakte me një mësuese me të cilën kishte krijuar një marrëdhënie gjatë burgimit.

Poll

MOS HUMB