
BRITANI E MADHE-Andrew dhe Tristan Tate, figura të njohura në rrjetet sociale dhe ish-kampionë të sporteve luftarake do të ekstradohen në Mbretërinë e Bashkuar për t’u përballur me 21 akuza penale, përfshirë përdhunim dhe trafikim qeniesh njerëzore, pasi të përfundojnë procedurat gjyqësore ndaj tyre në Rumani.
Akuza vijnë pas një hetimi të gjatë dhe të thelluar që përfshin ngjarje të ndodhura mes viteve 2012 dhe 2015. Akuzat përfshijnë gjithashtu dëmtime trupore dhe kontroll të prostitucionit për përfitim financiar.
Sipas Prokurorisë së Kurorës, katër gra kanë paraqitur dëshmi që përfshijnë keqtrajtim sistematik dhe manipulim psikologjik nga vëllezërit Tate. Ata akuzohen se kanë përdorur ndikimin dhe famën e tyre për të mashtruar dhe kontrolluar viktimat, shpesh duke i futur në situata abuzimi dhe duke i shfrytëzuar për përfitime personale.
Andrew Tate, 38 vjeç, përballet me 10 akuza që lidhen me tre viktima të dyshuara, ndërsa vëllai i tij Tristan, 36 vjeç, përballet me 11 akuza lidhur me një viktimë. Të dy i kanë mohuar akuzat dhe i kanë cilësuar ato si “tërësisht të pavërteta”. Gjykata rumune ka vendosur se vëllezërit mund të ekstradohen në Britani vetëm pas përfundimit të procedurave gjyqësore në Rumani, të cilat aktualisht nuk kanë një afat të përcaktuar./ZËRI