PARIS- Dy të dyshuar të arrestuar në lidhje me vjedhjen e xhevahireve të kurorës së Francës nga muzeu i Luvrit kanë pranuar përfshirjen në grabitje dhe janë lënë në paraburgim, tha të mërkurën zyra e prokurorit të Parisit, raporton CNN.
Sipas prokurores, dy të dyshuarit do të paraqiten para një gjykatësi hetues dhe mund të vihen nën hetim zyrtar më vonë të mërkurën. Prokurorja e Parisit tha gjithashtu se bizhuteritë e vjedhura nuk janë në posedim të autoriteteve.
Të dy burrat u arrestuan të shtunën në mbrëmje dhe u mbajtën në paraburgim, ku u morën në pyetje për 96 orë. Dy të dyshuar të tjerë mbeten në arrati.
I dyshuari i parë, 34 vjeç, është me kombësi algjeriane. Ai kishte të dhëna të mëparshme për shkelje të trafikut dhe u identifikua nëpërmjet ADN-së së gjetur në një nga skuterët.
I dyshuari i dytë, 39 vjeç, një shofer taksie i paligjshëm dhe shofer shpërndarjeje i lindur në Aubervilliers, një periferi të Parisit. Ai ishte i njohur më parë për policinë për vjedhje të rëndë. ADN-ja e tij u gjet në xhamin e thyer të një prej vitrinave.
“Nuk ka asgjë që sugjeron se katër autorët e krimit përfituan nga ndonjë formë ndihme e brendshme brenda muzeut”, tha Beccuau.
“Ata janë aktualisht para një gjyqtari hetues me qëllim vendosjen e tyre nën hetim formal për krimet e grabitjeve si pjesë e një bande të organizuar – krime që mbartin një dënim me pesëmbëdhjetë vjet burg dhe një gjobë të rëndë”, shtoi ajo.
Më shumë se 100 hetues janë përfshirë në kërkimin e personave dhe autoritetet kanë arritur t’i gjurmojnë individët pasi analizuan më shumë se 150 mostra ADN-je dhe ekzaminuan disa sende që grupi la pas, të tilla si doreza, një helmetë dhe xhaketa me dukshmëri të lartë të lëna në vendngjarje.
Bizhuteritë e vjedhura - midis tyre një gjerdan smeraldi me më shumë se 1,000 diamante të dhuruara nga Napoleoni gruas së tij të dytë - nuk u gjetën gjatë arrestimeve.
Më 19 tetor, hajdutët bastisën Galerinë Apollo në katin e sipërm të Luvrit, ku ndodhen Xhevahiret e Kurorës Franceze. Ata përdorën një shkallë të montuar në kamion për të hyrë në galeri, një nga dhomat më të zbukuruara në muze, përmes një dritareje. Ata hynë me forcë në dy vitrina të sigurisë së lartë dhe vodhën nëntë sende, përfshirë një set bizhuterish me diamant dhe safir të veshura nga Mbretëresha Marie-Amélie dhe Mbretëresha Hortense.
Bizhuteritë e vjedhura nga muzeu vlerësohen të kenë një vlerë prej 88 milionë eurosh (102 milionë dollarë).