
ITALI- Hidhërimi i Marcello Carbonaro nuk ka të matur, as pas arrestimit të Alessio Tucci-t, 19-vjeçarit që i vrau vajzën me gur dhe e braktisi trupin e saj për 2 ditë në një banesë të rrënuar. Në një intervistë për mediat italiane, ai tregoi sesi vrasësi i të bijës e kishte "ndihmuar" në kërkimin e të miturës. Kjo deri në momentin që u vendos në pranga nga Policia.
“Ai na ndihmoi me kërkimin, ndoshta kishte frikë të fliste. Edhe babai i tij erdhi me mua, më tha ‘hajde të shkojmë të shohim ku është vajza jote’. E kisha vrasësin e vajzës sime në makinë dhe nuk e dija. Kur e telefonova dhe më tha se e kishte takuar, por më pas i kishin ndarë rrugët. E thirra edhe Anën (shoqen e Martinës) e cila më tha se ai dhe Martina ishin grindur. Kur i thashë se do të bëja një denoncim, më pyeti nëse mund të vinte edhe një mik i tij. Por pse duhet ta sillte mikun? Ai ndenji në shtëpinë tonë. Pastaj Policia e thirri,", tha babai i Martinës.
"Nuk e kishim imagjinuar kurrë se ai do të kryente një akt të tillë,"-këto janë fjalët e prindërve të Alessio Tucci-t, të riut të arrestuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij Martina Carbonaro. Avokati Mario Mangazzo, i cili e mbron vrasësin thotë se familja Tucci është gjithashtu e tronditur.
Në fakt, ata janë njerëz të thjeshtë. Babai është murator, nëna është shtëpiake. Vrasësi, Alessio, i cili do të mbushë 19 vjeç pas disa muajsh, punon herë pas here me të atin. Lidhja e tij me Martinën kishte zgjatur rreth dy vjet. Duke parë postimet në rrjetet sociale dhe duke dëgjuar historitë e miqve dhe të afërmve, ishte historia e dy adoleshentëve. Ndoshta dashuria e parë për vajzën e vogël, e cila e kishte ruajtur numrin e tij në telefon si "Princi im".
Pastaj, pas një shuplake prej tij, gjithçka ndryshoi! Pak më shumë se dy javë më parë, u mor vendimi për t'i dhënë fund asaj marrëdhënieje ishte bërë ndoshta shumë mbytëse. Alessio u përpoq për ditë të tëra të rikthehej me Martinën, por pa sukses. Të enjten e kaluar, në prag të ndeshjes së Napolit për Scudetton (titullin e Seria A), ai shkroi në TikTok: Nesër Napoli do ta fitojë 99% Scudetton e tyre të katërt. Por sa bukur do të kishte qenë ta festoje me personin që të mungon aktualisht.
Por ndarja kishte një shkak! Alessio Tucci, sipas shokëve të tij të klasës dhe mësuesve të Martinës, ishte jashtëzakonisht xheloz. Ndaj edhe ajo kishte një marrëdhënie të ftohtë me djemtë e klasës.
"Ajo ulte shikimin nëse e takonte dikush, sepse ai nuk donte që t'i përshëndeste djemtë".
Domenico Tucci foli ekskluzivisht për Tgcom24 në lidhje ngjarjen.
"Nuk mund ta shpjegoj atë që bëri im bir. Ai do të paguajë, por unë jam ende babai dhe secili me fëmijët e vet merr përgjegjësitë e veta. Nuk do ta braktis as nga larg, do ta ndjek gjithmonë. Martina ishte si një vajzë për mua dhe gruan time. I kërkoj falje të gjithë botës. Djali im është një djalë i mirë, nuk mendonim se mund të bënte diçka të tillë. Ai tha që Martina ishte me një djalë tjetër dhe donte të zbulonte se kush ishte ky djalë. Djali im nuk ishte i fiksuar, ai ishte i dashuruar me Martinën dhe ata po rriteshin së bashku. Ai pa që ajo po bisedonte me dikë tjetër dhe kjo e dëshpëroi. Ai donte të zbulonte se kush ishte i dashuri i ri i Martinës,"- deklaroi ai para gazetarëve para shtëpisë së tij në Afragola (Napoli).
14-vjeçarja, Martina Carbonaro u gjet e vdekur në një ndërtesë të braktisur në Napoli. E mitura ishte shpallur e zhdukur që nga 26 maji 2025. Sipas hetimit fillestar, Martina u rrah për vdekje me një gur. Më pas, autori i krimit e fshehu trupin e saj të pajetë në një dollap, të cilin e ktheu përmbys dhe e mbuloi me sende dhe dyshekë, si përpjekje për të fshehur krimin e tij./ZËRI