
KOSOVË-Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra”, është dënuar me 24 vjet burg për vrasjen që ndodhi në lokalin “Cobra City” në Prizren në vitin 2023. Hoxhaj u dënua me 23 vjet burg për vrasje të rëndë, dhe për posedim të armëve u dënua me 2 vjet burg. Edhe të akuzuarit e tjerë në lidhje me vrasjen janë dënuar me burg.
Konkretisht Roland Susuri u dënua me 4 vjet e gjysmë burg për manipulim provash, 1 vit e gjysmë burg për pjesëmarrje në sherr dhe 1 vit e gjysmë burg për armëmbajtje pa leje. Gjykata i dha atij një dënim të vetëm prej 7 vjetësh burg. Arben Vezaj është dënuar me 1 vit burg për pjesëmarrje në rrahje, ku përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërkohë, Burim Mazreku u dënua me 1 vit burg për manipulim provash, ku përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim. I akuzuari Jesmir Badallaj u dënua me 1 vit e 6 muaj për pjesëmarrje në rrahje dhe 10 muaj për armëmbajtje pa leje. Ai u dënua me një dënim të kombinuar prej 2 vitesh burgim, duke përfshirë edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Motivi i vrasjes, sipas aktakuzës, ishte një faturë prej 400 eurosh, të cilën viktima dhe shokët e tij nuk pranuan ta paguanin. 'Kobra' dyshohet se gjuajti në drejtim të veturës në të cilën ndodheshin dy klientët e tij, ku njëri mbeti i vrarë, tjetri i plagosur.
Dibran Hoxhaj ekspozohet shumë në rrjete sociale dhe e do famën. Ai shpesh është shfaqur edhe në intervista televizive ku ka ekspozuar jetën e tij superluksoze./ZËRI

