Bota

38 ditët e Papa Françeskut në spital! Mjeku tregon të pathënat: Ishte afër vdekjes, menduan t’i jepnin fund trajtimit

Kreu i ekipit të tij mjekësor, Sergio Alfieri ka zbuluar se Papa Françesku, ishte aq afër vdekjes në një moment gjatë trajtimit të tij për pneumoni

F.I
38 ditët e Papa Françeskut në spital! Mjeku tregon të
Papa Françesku

ITALI-Papa Françesku është rikthyer në detyrë pas një periudhe të gjatë trajtimi për pneumoni në një spital të Romës. Papa la ambjentet e spitalit, pas 38 ditësh. Por çfarë ndodhi brenda ambjenteve të spitalit? 

Kreu i ekipit të tij mjekësor, Sergio Alfieri ka zbuluar se Papa Françesku, ishte aq afër vdekjes në një moment gjatë trajtimit të tij për pneumoni në një spital të Romës, saqë ekipi vendosi t’i jepte fund trajtimit në mënyrë që ai të mund të vdiste në paqe. Kjo pas një krize respiratore më 28 shkurt, në të cilën Papa për pak sa nuk u mbyt duke vjellë, ekzistonte një rrezik real që ai të mos mbijetonte.

“Françesku e dinte se mund të vdiste. Duhej të zgjidhnim nëse do të ndalonim atje dhe ta linim të shkojë ose të vazhdonim me të gjitha medikamentet dhe terapitë e mundshme, me rrezikun më të madh për të dëmtuar organet e tjera të tij. Ka një botim shkencor që thotë se lutja i jep forcë të sëmurit dhe në këtë rast, të gjithë filluan të luten. Mund të them se situata humbi dy herë dhe më pas ndodhi si një mrekulli. Sigurisht, ai ishte një pacient shumë bashkëpunues. Iu nënshtrua të gjitha terapive pa u ankuar kurrë. Për ditë të tëra rrezikuam të dëmtonim veshkat dhe palcën e eshtrave të Papës, por gjithsesi vazhduam terapinë. Trupi i tij u përgjigj mirë dhe infeksioni u qetësua,"-u shpreh Sergio Alfieri.

Lidhur me kthimin e tij në Vatikan , në rezidencën e tij në Santa Marta , Alfieri komentoi se një mëngjes i tha: "Jam ende gjallë. Kur do të shkojmë në shtëpi?"

Pas daljes nga spitali mjekët konfirmuan se gjendja klinike e Papa Françeskut është e qëndrueshme. Mjekët kanë rekomanduar reduktimin e pjesshëm të terapisë me antibiotikë oralë dhe pushim të plotë. Me daljen nga spitali, agjenda e Papës pritet të ndryshojë ndjeshëm. Pjesëmarrja e tij në ritet e Pashkëve do të varet nga përparimi i shëndetit. Për udhëtimin e planifikuar në Turqi në fund të majit, mjekët shprehen se ende nuk ka siguri nëse mund të realizohet. Gjatë fazës së rikuperimit, Papa do të shmangë takimet me grupe të mëdha, pasi mund të jenë të rrezikshme për shëndetin e tij.

Papa Françesku u shtrua në spitalin Gemelli më 14 shkurt me një infeksion të rëndë respirator, i cili kërkonte trajtim të përshtatur vazhdimisht. Papa është veçanërisht i ndjeshëm ndaj pneumonisë, një infeksion i mushkërive që mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose kërpudhat, pasi ka vuajtur nga pleuriti - një inflamacion i mushkërive - si i ri dhe i është hequr një mushkëri e pjesshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB