
KOSOVË- Sipas një diskutimi të fundit nga institucionet ka rezultuar se fëmijët në Kosovë janë më pak të zhvilluar se fëmijët e tjerë në rajon. Gjatë Komisionit për arsim shkencë, teknologji, inovacion, kulturë, rini dhe sport është kërkuar që të rritet numri i orëve në shkolla për lëndën e edukimit fizik.
Kjo sipas tyre është e nevojshme për shëndetin fizik dhe po ashtu në aspektin mendor të fëmijëve. Aktualisht në Kosovë janë 2 orë në javë edukim fizik, ndërsa është thënë se në Kroaci i kanë 5 orë në javë.
Musa Selimi, Dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, tha se situata e fëmijëve në këtë cështje është kritike dhe duhet të ndërmerren masa, shkruan Klan Kosova. Ai tha se nga parametrat e matura gjendja tek fëmijët është shqetësuese. Ai tha se dy orë edukatë fizike në javë në shkolla janë të pamjaftueshme dhe se orët në shkolla duhet të shtohen. Ai shtoi se nevojiten rreth 60 minuta në ditë aktivitet fizik për fëmijët.
“Arsyet pse kemi kërkuar këtë takim është nevoja që të ndryshojmë gjendjen kritike tek fëmijët tanë në edukim dhe sport. Ne parametra që kemi matur kemi ardhur ne përfundim që me vendin e rajoni jemi shumë larg. Në hulumtimin e fundit del që 40 për qind e përfomancën fizike, fëmijët tanë janë më pak të zhvilluar se të tjerët në rajon. Mendoj se është një situatë kritike. Kemi realizuar edhe një projekt nga ambasada amerikane dhe te dhënat na dërgojnë në një situatë kritike. Ne kemi ardhur që këtë hall që ka vite që e diskutojmë në mënyra të ndryshme në vend e takime të ndryshme por kemi hasur në vesh të shurdhër”, tha ai.
Mungesa e aktivitetit të mjaftueshëm fizik dhe përdorimi i teknologjisë, sipas përfaqësuesve të Fakultetit të Edukimit Fizik, po ndikojnë në obezitetin e fëmijëve dhe në problemet tjera shëndetësore./ZËRI