
SHBA- Albin Kurti, Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike, e cila do të mbahet nga data 19 gusht deri më 22 gusht në Çikago. Kurti do të jetë gjithashtu pjesë e një paneli diskutimi me titullin “Konventa Kombëtare Demokratike dhe Roli i Partive Politike”.
Paneli do të hapet nga Tom Daschle, kryesuesi i bordit drejtues të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), ndërsa moderohet nga Presidentja e NDI, Tamara Wittes. Pjesë e diskutimeve do të jenë figura të rëndësishme ndërkombëtare si ish-Sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, dhe Donna Brazile, ish-drejtuese e Komitetit Kombëtar Demokrat, tashmë anëtare e bordit të NDI.
Gjatë qëndrimit në ShBA, Kryeministri Kurti do të zhvillojë edhe një sërë takimesh bilaterale me liderë të tjerë ndërkombëtarë./ ZËRI