
PRAGË- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka hedhur poshtë spekulimet për raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ka kundërshtuar idenë se Serbia është një "Kalë Troje" për Moskën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjatë një fjalimi në konferencën Globsec në Pragë, Vuçiç theksoi se nuk ka takuar apo biseduar me Putinin në dy vitet e fundit, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Vuçiç pranoi se Serbia ka ruajtur raporte të mira me Rusinë, por nënvizoi se Serbia është e përkushtuar ndaj rrugës evropiane dhe është duke zbatuar agjendën e saj të rritjes dhe reformave. Ai theksoi se takimi i fundit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka qenë pozitiv, edhe pse dallimet mes Serbisë dhe BE-së mbeten të dukshme për çështjet me Rusinë.
“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira – nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo – me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve.Qëllimi është të krijohet besim i ndërsjellë mes Serbisë dhe BE-së, e jo Serbia të shihet si “Kali i Trojës” për Rusinë”,
Duke iu referuar dialogut të gjatë për normalizimin e raporteve me Kosovën, Vuçiç tha se kjo çështje mbetet sfida kryesore për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së. "Problemi më i madh për Serbinë... është raporti ynë me Prishtinën," tha ai, duke bërë thirrje për më shumë besim mes Serbisë dhe BE-së.
Vuçiç ritheksoi se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE varet nga përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe jo nga lidhjet me Rusinë, duke i kërkuar partnerëve evropianë të mos shohin Serbinë si një mjet të Moskës./ ZËRI