KROACI- Jovançiç u arrestua nga autoritetet kroate më 4 dhjetor, me një fletarrestim të SHBA-së, dhe u dërgua në një qendër paraburgimi në Zagreb. Aktakuza e 27 tetorit, e cila u zbulua një ditë pas arrestimit të Jovançiçit, e akuzoi atë si një nga disa personat e përfshirë në arratisjen e Ussit. Deri në publikimin e këtij raporti, Jovançiç është në paraburgim në Zagreb, në pritje të procedurave të ekstradimit, sipas autoriteteve kroate. Djali i tij, Borisi, u arrestua të njëjtën ditë nga autoritetet italiane, sipas agjencisë së lajmeve ANSA. Është e paqartë nëse ai gjithashtu përballet me akuza të SHBA-së.
Janezhiç u arrestua më 19 janar 2024, në Lublanë, nga autoritetet sllovene, mbi bazën e një fletarrestimi italian. Ai u vendos në arrest shtëpiak, në pritje të ekstradimit në Itali, tha policia sllovene për Radion Evropa e Lirë.
Tre të dyshuarit e tjerë – Illiç, Ibo dhe Llolliç – mbeten të lirë deri më tani.
As Llolliç, e as Iliç, nuk ishin të qasshëm për koment. Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me arratisjen e Ussit, dhe nëse qeveria kishte pranuar një fletarrestim apo kërkesë të ngjashme për ndihmë juridike nga Italia apo gjetkë. Që nga kthimi në Rusi, Uss ka qëndruar kryesisht larg vëmendjes së publikut, me pak ose aspak postime në mediat sociale dhe përmendje në mediat ruse.
Megjithatë, pasojat e arratisjes së tij kanë vazhduar. Rreth kohës kur Uss u rishfaq në Rusi, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u pyet nga gazetarët për arratisjen e tij.
"Rasti është mjaft serioz", tha Meloni, qeveria e së cilës ka qenë në detyrë që nga koha e arrestimit të Ussit.
"Sigurisht që ka anomali. Mendoj se anomalia kryesore është vendimi [i gjykatës] për ta mbajtur atë në arrest shtëpiak për arsye të dyshimta, dhe të mbahet ai vendim edhe kur ka pasur vendim për ekstradim".
Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, gjithashtu sugjeroi se vendimi kishte qenë i gabuar.
“Me këtë situatë të njohur, duke pasur një grua dhe një shtëpi, ky burrë shkoi në shtëpi nga burgu me byzylyk, pavarësisht nga fakti se autoritetet gjyqësore ishin përmbytur me indikacione se kishte një rrezik të lartë për arratsje”, u tha Nordio ligjvënësve italianë, më 20 prill 2023.
Dhe, në një seancë në dhomën e poshtme të parlamentit, dy javë më vonë, anëtarët e bllokut elektoral të opozitës mes Të Gjelbërve e Të Majtëve kritikuan qeverinë për trajtimin e rastit nga ana e tyre.
“Si ka mundësi që ai nuk ruhej, monitorohej vazhdimisht, por vetëm çdo 72 orë?", tha deputeti Devis Dori.
“Italia, në mënyrën se si qeveria italiane ka trajtuar rastin e Artyom Ussit, sapo e ka turpëruar veten botërisht”, tha Angelo Bonelli, kryetar i partisë Evropa e Gjelbër.
Ambasada e SHBA-së në Romë nuk pranoi të komentonte, duke ia referuar pyetjet autoriteteve italiane dhe Departamentit amerikan të Drejtësisë, në Uashington. Departamenti i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë, duke iu referuar vetëm deklaratave të publikuara më parë për shtyp. Ministria italiane e Drejtësisë nuk iu përgjigj e-maileve që kërkonin koment. Duke i shtuar intriga të mëtejme arratisjes së Ussit, u përmendën spekulime të vazhdueshme se agjencitë ruse të inteligjencës luajtën një rol në rregullimin ose lehtësimin e planit./REL