
TOKIO- Japonezët do të kenë të gjithë të njëjtin mbiemër pas 500 vjetësh nëse çiftet e martuara nuk lejohen të përdorin mbiemra të veçantë. Sipas një studimi të ri, të udhëhequr nga profesori i ekonomisë në Universitetin Tohoku, Hiroshi Yoshida, nëse Japonia vazhdon të këmbëngulë që çiftet të zgjedhin një mbiemër të vetëm, çdo japonez do të quhet Sato deri në vitin 2531.
"The Guardian" raporton se studimi u krye si pjesë e një fushate për të përditësuar një kod të qytetit që daton në fund të viteve 1800. Yoshida pranon se parashikimet e tij bazohen në supozime, por ideja ishte të përdoreshin numrat për të shpjeguar ndikimet e mundshme nga sistemi aktual në shoqërinë japoneze.
“Nëse të gjithë bëhen Sato, mund të duhet të na drejtohen me emrat ose numrat tanë. Nuk mendoj se do të ishte një botë e mirë për të jetuar,”-tha Yoshida.
Sato kryeson listën e mbiemrave japonezë, duke zënë 1.5% të popullsisë totale, ndërsa Suzuki është në vendin e dytë. Sipas llogaritjeve të Yoshida, përqindja e japonezëve me emrin Sato u rrit 1,0083 herë nga viti 2022 në 2023. Duke supozuar se norma mbetet konstante, 100% e japonezëve do mbajnë këtë mbiemër në vitin 2531.
Fushata për të zgjedhur mbiemrin
Çiftet në Japoni duhet të zgjedhin se cilin mbiemër do të mbajnë kur të martohen, por në 95% të rasteve është gruaja ajo që e ndryshon. Megjithatë, tabloja do të ishte ndryshe nëse qeveria e Japonisë do të lejonte çiftet e martuara të përdorin mbiemra të veçantë.
Pse nuk ndryshon ligji?
Anëtarët konservatorë të Partisë Liberal Demokratike në pushtet thonë se ndryshimi i ligjit do të minojë unitetin e familjes dhe do të shkaktojë konfuzion për fëmijët./ZËRI