Bota

Avokatët e Pecorellit letër ministrit Tajani: Po jeton në kushte çnjerëzore

Kërkesa është bërë përmes një letre publike, ku ata theksojnë nevojën urgjente për të rivendosur kushtet e dinjitetshme për të burgosurin.

l.k

Avokatët e Pecorellit letër ministrit Tajani: Po jeton në kushte

ITALI- Avokatët e Davide Pecorellit, shtetasit italian që ndodhet aktualisht në burgun e Tiranës, kanë kërkuar ndërhyrjen e Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, dhe Ambasadës Italiane në Tiranë, për të siguruar një gjykim të drejtë dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për klientin e tyre.

Kërkesa është bërë përmes një letre publike, ku ata theksojnë nevojën urgjente për të rivendosur kushtet e dinjitetshme për të burgosurin dhe për të siguruar që ai të ketë mundësinë të marrë një gjykim të drejtë para Gjykatës së Apelit të Tiranës.

Në letrën drejtuar Tajanit dhe Ambasadës Italiane, avokatët e Pecorellit shprehin shqetësimin për kushtet alarmante të paraburgimit të klientit të tyre, të cilat, sipas tyre, janë jashtë përputhjes me standardet evropiane dhe mund të përbëjnë trajtim çnjerëzor dhe degradues. Ata kërkojnë një hetim të kujdesshëm mbi kushtet e burgut dhe trajtimin e tij, për të garantuar që Pecorelli të ketë kushte të përshtatshme dhe që të respektohen të drejtat e tij si i burgosur.

"Nevojiten masa të menjëhershme dhe të përshtatshme për të mbrojtur shtetasin italian Davide Pecorelli, duke siguruar që të drejtat e tij themelore të njeriut të rivendosen dhe garantohen. Ne gjithashtu kërkojmë që të bëhen përpjekje për të siguruar që një gjykim i drejtë të zhvillohet para Gjykatës së Apelit të Tiranës", shkruhet në letrën e dërguar për Ministrin e Jashtëm italian.

Ky reagim vjen pas deklaratës së të denuarit në mediat italiane, i cili u shpreh se ka humbur 6 kilogramë për shkak të grevës 2 javorshe që mbajti brenda qelisë si protestë për kushtet e këqija në burg.

Davide Pecorelli, ish-sipërmarrës dhe arbitër italian, u ekstradua në Shqipëri në mars të këtij viti. Davide Pecorelli është dënuar me 4 vjet burg në Shqipëri, pasi u zbulua se ishte gjallë pas inspektimit të vdekjes së tij në Pukë pesë vjet më parë, për shkak të borxheve në Itali. Ai u shpall fajtor për "Mashtrim në bashkëpunim", "Dhunim varresh", "Pengim të zbulimit të së vërtetës" dhe "Shkatërrim prone me zjarr". /ZËRI/

 

 

 

Poll

MOS HUMB