RUSI- Ka një vend dhe një datë takimi! Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump njofton se do të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin më 15 gusht në Alaska për të diskutuar për përfundimin e luftës në Ukrainë. Mediat amerikane kanë zbuluar detaje se çfarë mund të diskutohet mes dy liderëve botërorë. Një propozim që tërhiqet pjesërisht nga kërkesat e tij fillestare thuhet se u vu në tryezë nga Vladimir Putin gjatë një takimi që pati në Kremlin me Steve Witkoff. Kushti kryesor parashikon tërheqjen e trupave ukrainase nga rajoni lindor i Donbasit, ndërsa Moska do të mbajë kontrollin e Donetskut, Luhanskut dhe Krimesë.
Propozimi rus parashikon një armëpushim të plotë nëse Ukraina tërheq forcat e saj ushtarake nga e gjithë provinca lindore e Donetskut.
Pavarësisht faktit se Rusia kontrollon pjesën më të madhe të rajonit, Kievi ende ka nën kontroll pjesë të konsiderueshme të tij.
Çfarë mban Rusia në Ukrainë nëse arrihet marrëveshje?

Sipas planit, Rusia do të mbajë kontrollin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, si dhe të Krimesë, të cilën e ka aneksuar që nga viti 2014. Siç tregon informacioni i cituar nga "Wall Street Journal, presidenti rus po tregon fleksibilitet në negociata, duke i lënë territoret e pushtuara nga trupat ruse në Kherson dhe Zaporizhia. Propozimi - nëse miratohet - do të zbatohet në dy faza: së pari, Ukraina do të tërhiqet nga Donetsku dhe më pas në një fazë të dytë, Putin dhe Trump do të bien dakord për një plan përfundimtar paqeje, i cili më pas do të diskutohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Trump foli dje në "Social Truth" për një "shkëmbim të mundshëm territoresh" midis Ukrainës dhe Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme midis dy vendeve, pa sqaruar se sa larg kanë përparuar negociatat deri në këtë fazë.
“Do të ketë një shkëmbim territoresh në dobi të të dyve, por do të flasim për këtë më vonë,”- tha presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se çështja “është e ndërlikuar".
Trump, i cili kishte pranuar zhgënjimin e tij me presidentin rus në muajt e fundit për shkak të përshpejtimit të konfliktit, dukej më optimist për perspektivën e një marrëveshjeje paqeje të premten.
“Udhëheqësit evropianë duan të shohin paqe. Mendoj se Presidenti Putin dëshiron të shohë paqe, edhe Zelenskyy dëshiron të shohë paqe. Instinkti im më thotë vërtet se kemi një shans për paqe,"- u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Zelenskyy tha se Kievi është gati për zgjidhje reale që mund të sjellin paqe, por shtoi se të gjitha zgjidhjet pa Ukrainën do të ishin kundër paqes.
"Ukrainasit mbrojnë të vetët. Edhe ata që janë me Rusinë e dinë se ajo bën keq. Sigurisht, ne nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që ka bërë. Populli ukrainas meriton paqe. Por të gjithë partnerët duhet ta kuptojnë se çfarë është një paqe e denjë. Përgjigja për çështjen territoriale të Ukrainës është tashmë në Kushtetutën e Ukrainës. Askush nuk do dhe nuk mund të devijojë nga kjo. Ukrainasit nuk do t'ia japin tokën e tyre pushtuesit," - tha kreu i shtetit ukrainas.
Ai shtoi se është gati, së bashku me Trumpin dhe partnerë të tjerë, të punojë për një paqe të vërtetë që nuk do të ndryshojë në të ardhmen për shkak të dëshirave të Moskës.
Rezervat evropiane dhe ukrainase
Disa zyrtarë ukrainas dhe evropianë kanë shprehur rezerva të forta, duke besuar se masa e Kremlinit synon të shmangë sanksionet dhe tarifat që Trump kishte njoftuar se do t'i vendoste nëse nuk arrihej një marrëveshje deri të premten. Zelenskyy ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të diskutojë çështjen e territorit vetëm nëse Rusia pranon një armëpushim të plotë dhe pa kushte. Një zyrtar i Kievit që mori pjesë në telefonatën e së mërkurës midis presidentit ukrainas dhe Trump thuhet se tha se qeveria e vendit nuk e hedh poshtë propozimin në parim./ZËRI