Bota

Banka Botërore: Lufta Izrael-Hamas, pasoja në ekonominë globale

Kreu i BB, Ajay Banga deklaroi se lufta në Lindjen e Mesme, por edhe zhvillimet e tjera shqetësuese nëpër botë, kanë ndikim negativ në ekonominë globale.

D.XH
Banka Botërore: Lufta Izrael-Hamas, pasoja në ekonominë globale
Ajay Banga

RIAD - Presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga tha se lufta Izrael-Hamas mund të japë një goditje serioze për ekonominë globale dhe zhvillimin e saj. Duke iu drejtuar një konference investitorësh në Arabinë Saudite, Ajay Banga tha se bota është në një situatë jo të mirë, sa i përket ekonomisë.

"Ka kaq shumë gjëra që po ndodhin në botë dhe gjeopolitikë, në luftërat që po shihni dhe për atë që ndodhi kohët e fundit në Izrael dhe Gaza. Në fund të fundit, kur i bashkoni të gjitha këto, mendoj se ndikimi në ekonomi, nga ngjarjet, do jetë i madh. Unë mendoj se jemi në një pikë shumë të rrezikshme," tha Banga. Ai shtoi se tensionet gjeopolitike përbëjnë kërcënimin më të madh për ekonominë botërore. Kreu i Bankës Botërore, megjithatë, tha se rreziqet ekonomike priren të lëvizin shpejt dhe nuk duhet të injorohen.

Më 7 tetor, miliatëntët e Hamasit hynë në Izrael nga Rripi i Gazës dhe vranë 1400 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë. Ata mbajtën peng 222 persona. Në sulmet ajrore hakmarrëse izraelite, mbi 5000 palestinezë kanë vdekur.

Të martën, ushtria izraelite tha se kishte përshkallëzuar bombardimet e saj ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Grupi palestinez liroi dy gra të moshuara izraelite, që ishin marrë peng më 7 tetor.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron mbërriti në Tel Aviv sot. Ai i tha Presidentit të Izraelit Isaac Herzog se Franca nuk do ta lërë vetëm Izraelin./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB