
KOSOVË – Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, tashmë ka një kryetar të ri dhe ai quhet Zlatan Elek.
Elek është drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ai u zgjodh unanimisht në seancën e Kuvendit të Listës Serbe, të mbajtur të martën në Mitrovicën e Veriut.
Lider i Listës Serbe deri më tani ishte Goran Rakiç. Lista Serbe ka mbështetjen e Beogradit.
Këto ndryshime kuadrosh vijnë pas ngjarjeve në Banjskë afër Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës. Në përleshjen e armatosur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, e më pas në shkëmbimin e zjarrit, u vranë tre agresorë serbë.
Pesë ditë më vonë, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, mori përgjegjësinë për këtë sulm dhe dha dorëheqjen nga pozita e tij. Ai është nën hetim si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Këto ndryshime vijnë edhe pasi Lista Serbe më 13 tetor shprehu gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës në komunat në veri të Kosovës, pasi i kishte bojkotuar ato në prill të vitit 2023.
Në atë kohë, katër komuna në veri, Mitrovica, Zubin Potoku, Zveçani dhe Leposaviçi kishin zgjedhur kryetarë shqiptarë.
Zgjedhjet në veri u zhvilluan, pasi serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar. Kësaj ngjarje i parapriu shkarkimi i drejtorit të policisë për rajonin verior, Nenad Gjuriç, i cili është pezulluar, për shkak të vendimit për të mos zbatuar planin e Kosovës, për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga autoritetet serbe.
Kush është Zlatan Elek?
Në maj të vitit 2020, Qeveria e Serbisë emëroi Zlatan Elek drejtor të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut. Ky institucion, sikurse institucionet e tjera shëndetësore në territoret e banuara nga serbët në Kosovë, punon në sistemin serb.
Ndërkaq, Elek mori pjesë në tubimet e organizuara nga Lista Serbe, duke përfshirë edhe atë të 6 nëntorit, një ditë pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri. Ai në fjalën e tij tha se “serbët mbijetuan falë mbështetjes së lidershipit, në radhë të parë angazhimit të presidentit Aleksandar Vuçiç”.
Së fundmi ai ka theksuar se për shkak të terrorit të Kurtit, institucionet shëndetësore në zonat serbe në Kosovë po kërcënohen me katastrofë humanitare. Ai ka pohuar se autoritetet e Kosovës nuk lejojnë importin e barnave dhe materialeve mjekësore, gjë që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës e ka mohuar.
Ekspertët e politikës besojnë se ndryshimet e kuadrove të Listës Serbe nuk do të ndryshojnë politikën e kësaj partie. Kjo, sepse ndikimi i Serbisë në këtë parti, vazhdon të jetë i fuqishëm./Zëri.ai/