
MADRID - Partia Socialiste e Spanjës dhe partia e majtë ekstreme, Sumar kanë arritur një marrëveshje, në një përpjekje për të formuar një qeveri të re. Koalicioni i tyre i mundshëm do të duhet të fitojë mbështetjen e partive të tjera në parlament.
Marrëveshja, erdhi pasi kryeministri në detyrë Pedro Sanchez u takua me udhëheqësen e Sumar dhe ministren në detyrë të punës Yolanda Diaz, të hënën. Marrëveshja përfshin një propozim, për të reduktuar orët e punës, duke mbajtur pagat në të njëjtin nivel.
Kjo do të reduktonte javën zyrtare të punës në 37.5 orë, nga kufiri aktual prej 40 orësh. Lajmin e dha zëdhënësi i Sumar, Ernest Urtasun për televizionin shtetëror, TVE.
Palët thanë se do të nxisin një reformë tatimore, që synon bankat dhe kompanitë e mëdha të energjisë, duke zgjeruar mbledhjen e taksave.
"Kjo marrëveshje qeverisëse për një mandat legjislativ katërvjeçar do të lejojë që vendi ynë të vazhdojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme, duke zhvilluar politika të bazuara në drejtësinë sociale, duke zgjeruar të drejtat dhe liritë e femrave", thanë partitë në një deklaratë të përbashkët.
Marrëveshja përfshin gjithashtu plane për të reduktuar papunësinë e të rinjve, për të përforcuar sistemin e kujdesit shëndetësor publik dhe për të rritur strehimin publik.
Sanchez kërkon mbështetjen e 31 ligjvënësve të dhomës së ulët - si dhe nga partitë e tjera, duke përfshirë disa të konsideruara ekstreme, që mbrojnë pavarësinë e Katalonjës dhe Baskëve, në përpjekjen e tij për të qenë kryeministër.
Ndërsa mbështetja e Sumarit është vendimtare, nuk mjafton për të siguruar mbështetjen e Sanchez në dhomën e ulët. Ai ende ka nevojë për mbështetjen e separatistëve katalanas, të cilët po kërkojnë një ligj amnistie për faljen masive të njerëzve të përfshirë në përpjekjen e dështuar të pavarësisë së rajonit, në vitin 2017.
Nëse socialistët dhe partitë pro-pavarësisë katalanase dështojnë të arrijnë një marrëveshje, vendi do të shkojë në zgjedhje sërish në janar./Zëri.ai/