Bota

Serbët pretendojnë se keqtrajtohen në burgjet e Kosovës

Të afërmit e serbëve të burgosur në Kosovë shprehen se ata lihen pa ilaçe dhe iu jepet pak ushqim. Akuzat vijnë në vazhdimësi, të ankesave të Beogradit, se "Kurti po kryen terror ndaj serbëve".

D.XH
Serbët pretendojnë se keqtrajtohen në burgjet e Kosovës
Albin Kurti

KOSOVË – Serbia vazhdon të mëshojë në tezën, se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka instaluar një regjim në Kosovë dhe se po keqtrajton serbët.

Një nga anëtarët e familjes së një serbi të burgosur në Grdovc, një burg me rrezikshmëri të lartë, që konsiderohet si një nga më të sigurtët në Republikën e Kosovës, ka thënë për “Politika” se të burgosurit serbë janë të terrorizuar dhe se atyre iu refuzohet ngrohja dhe uji në qeli. Ndërsa, atyre që janë në regjim të veçantë u jepet ushqim jo i shëndetëshëm, si dhe iu shkurtohen minutat për të telefonuar të afërmit.

“Po i terrorizojnë në çdo mënyrë. Deri në atë pikë sa këtë verë u thanë të vrapojnë, që të mos i qëllojnë në të njëjtin moment”, tha një e afërme e një serbi të burgosur. Ajo shtoi se duke qenë se këta ditë ka qenë ftohtë, derën e qelisë e kanë mbajtur hapur, nuk u japin batanije dhe se këtë verë, kur ka qenë shumë vapë, kanë mbyllur derën metalike dhe hekurat.

Familjarja e serbit të burgosur po ashtu deklaroi se të gjithë ‘serbët keqtrajtohen veç e veç’ dhe se ata mësojnë se janë të gjithë nën terror, kur dalin për ajrim’. Suzana Trajkoviç, bashkëshortja e të burgosurit Sllagjan Trajkoviç, ish-polic i Kosovës, i cili u arrestua më 15 dhjetor të vitit të kaluar, ka thënë për “Politika” se bashkëshorti i saj nuk e merr terapinë e nevojshme në burg, për shkak se është diabetik dhe ka probleme me mëlçinë.

“Kjo ka ndodhur për gati një vit. Nuk mund ta imagjinoj sesi është gjallë. Ne shkuam ta takojmë të mërkurën e kaluar dhe ai tha që nuk i sjellin më ilaçe, sepse nuk ka nevojë, nuk i japin. Më saktë për diabetin i japin ilaç një herë në muaj, kur atij i duhen çdo ditë. Ai është diabetik dhe i japin marmelatë për mëngjes, ndërsa dreka, si për të, ashtu edhe për të tjerët, është reduktuar në minimum”, tha ajo.

Plagë në trupin e të burgosurve serbë?

Një grua po ashtu ka thënë se së fundmi bashkëshorti i saj është dërguar në spitalin e Prishtinës, ku fillimisht mjeku e ka pyetur se për çfarë krimi akuzohet.

“Burri im di shqip, ndryshe nga shumë serbë që nuk dinë asnjë fjalë. E akuzuan për krim lufte. Kjo akuzë e rëndë bëri, që ai të mos ndihet mirë dhe një plagë i është shkaktuar në trup”, tha bashkëshortja e të burgosurit.

Ajo tha se bashkëshorti i saj ka nevojë për një ilaç, që nuk po gjendet.

“Jam shumë i shqetësuar, dhe vetëm presim ditën kur do të na thonë më të keqen. Unë shkova te të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, u thashë të gjithëve se burri im do të vritet atje, por nuk ka asnjë reagim”, tha ajo, dhe u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, institucioneve të Kosovës, dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kujtojmë se Beogradi zyrtar ka lëshuar akuza në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ai ka krijuar një regjim në Prishtinë dhe se po “terrorizon serbët”. Autoritetet e Kosovës kanë hedhur poshtë akuzat./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB