
KOSOVË- Bashkimi Evropian e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët e Kosovës në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se janë duke e ndjekur nga afër situatën e krijuar.
“Ne jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim nga afër. Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja përcakton parametra të qartë për hyrjen dhe daljen e qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes. Ne gjithashtu presim që palët të sigurojnë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e dialogut dhe të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë sigurinë dhe stabilitetin”, ka theksuar Stano.
Rreth 300 qytetarë të Kosovës, janë bllokuar në kufirin mes Kroacisën dhe Serbisë, për shkak se autoritetet e Beogradit zyrtar nuk lejojnë kalimin e tyre. Rasti është konfirmuar nga sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, i cili tha se qytetarët po mbahen ‘peng’ që prej mesnatës. Ndërkohë edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se qytetarët që po vinin në drejtim të Kosovës, përveç Serbisë, janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te Dheu i Bardhë. Ata nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas./ZËRI