
BRITANI E MADHE- Mbreti Charles III është diagnostifikuar me kancer në prostatë. Që kur u publikua lajmi se Charles III vuan nga kanceri, mediat në mbarë botën e kanë pasqyruar lajmin, e po ashtu edhe faktin se djali i tij i vogël, Princi Harry është nisur nga Los Angelos drejt Londrës.
Sipas "TheSun", Harry u pa teksa mbërrinte në një terminal avionësh privat në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit në Kaliforni, ku ai jeton që nga viti 2020 me gruan e tij, Meghan. Por edhe kësaj here, Princi udhëton vetëm. Harry ka qenë i ndarë nga babai dhe vëllai i tij për tre vitet e fundit, dhe në vitin 2023 ai publikoi një autobiografi në të cilën kritikoi familjen mbretërore. Por duket se në raste sëmundjesh, familja ribashkohet.
Natyrisht, lajmi për sëmundjen e rëndë të mbretit tronditi Britaninë. Megjithatë, vetë Charles mbetet i ftohtë dhe ka bërë me dije se do të përmbushë detyrimet e tij si kreu i shtetit dhe i kishës britanike. Madje njoftoi se do të vazhdojë takimet një herë në javë me kryeministrin e vendit, Rishi Sunak.
Në rast se mbreti nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij dhe veçanërisht në daljet e tij publike, atëherë protokolli parashikon përfaqësimin e tij nga mbretëresha Camilla ose djali i tij i madh, ëilliam, Princi i Uellsit. Por për momentin edhe ky i fundit është tërhequr nga detyrat e tij, pasi edhe bashkëshortja e tij iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale. Padyshim që koincidenca e dy sëmundjeve, e Charles dhe Kate, e bëjnë vitin 2024 “annus horribilis”, një vit tmerri për familjen mbretërore të Britanisë.
Sëmundja e mbretit Charles po tërheq vëmendjen mbarëbotërore, ndaj nuk kanë munguar as urimet për një shërim të plotë dhe të shpejtë nga figurat kryesore të politikës ndërkombëtare. Si presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, kryeministrat e Australisë dhe Kanadasë, ndër shumë të tjerë. Nuk mungoi as presidenti i SHBA-së, i cili humbi djalin e tij nga kanceri në vitin 2018 në moshën 46-vjeçare.
"Jill dhe unë bashkojmë zërat tanë me popullin britanik dhe bëjmë lutjet që Madhëria e Tij të ketë një shërim pa dhimbje dhe të plotë".
Si u diagnostikua?
Diagnoza është vendosur në kuadër të analizave të fundit mjekësore, të cilave iu nënshtrua monarku 75-vjeçar, me rastin e operacionit në Klinikën e Londrës për hiperplazinë beninje të prostatës. Mbreti u kthye në Londër nga Sandringham për të filluar trajtimin e tij. Ai ka nisur dje, të hënën, një cikël trajtimesh./ZËRI