Bota

Cilat janë ndodhitë e fundit nga lufta Izrael-Hamas?

Kamionët me ndihma ndodhen në kufirin mes Egjiptit dhe Gazës. SHBA tha se ka arritur marrëveshje, që në kufi të kalojnë vetëm 20 kamionë, por punonjësit e ndihmës shprehen se ndihma duhet shtuar.

D.XH
Cilat janë ndodhitë e fundit nga lufta Izrael-Hamas?
Luftimet

GAZA – Një sërë zhvillimesh kanë ndodhur gjatë orëve të fundit në Izrael dhe në Gaza. Ndihmat pritet që të arrijnë në rajonin e Gazës, por jo pak mosmarrëveshje ka pasur në lidhje me to.

Ndërsa, një tjetër vizitë e rëndësishme u zhvillua në rajon nga kryeministri britanik, Rishi Sunak. Në rajonin e Bregut Perëndimor pati luftime mes militantëve palestinezë dhe Izraelit. Nga luftimet, 6 persona humbën jetën.

Ndihmat: Kamionët e mbushur me ushqim, ujë dhe ilaçe të nevojshme, dëshpërimisht janë në radhë në vendkalimin kufitar  nga Egjipti në Gaza, por është ende e paqartë se kur do të hapet kufiri.

SHBA, që ndërmjetësoi marrëveshjen, thotë se 20 kamionë do të lejohen të hyjnë. Por punonjësit e ndihmës thonë se 20 kamionë ndihma nuk janë të mjaftueshme.

Ç’po ndodh brenda Gazës? Sulmet ajrore izraelite vazhdojnë dhe furnizimet po mbarojnë, me njerëzit atje që thonë se nuk kanë ujë apo energji elektrike dhe po mbijetojnë me ushqime të konservuara. Udhëheqësit e Egjiptit dhe Jordanisë dënuan atë që ata e quajtën "ndëshkimi kolektiv" i palestinezëve.

Sunak viziton Arabinë Saudite: Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, pas takimit me kryeministrin Benjamin Netanyahu në Izrael, ka mbërritur në Arabinë Saudite për bisedime me Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Viktimat izraelite: Një burrë britaniko-izraelit, i quajtur Yonatan Rapoport, është konfirmuar i vrarë nga Hamasi në sulmet e 7 tetorit. Mëngjesin e sotëm u konfirmua se kanë vdekur edhe një gjyshe dhe mbesa e saj 12-vjeçare. Izraeli tha sot se Hamasi ka marrë peng 203 persona.

Luftime në Bregun Perëndimor: Ministria Palestineze e Shëndetësisë thotë se gjashtë persona janë vrarë në përleshjet me ushtrinë izraelite në Nur Shams në Bregun Perëndimor të pushtuar. Ushtria izraelite thotë se përdori një avion për të goditur një skuadër terroristësh.

Hamasi sulmoi Izraelin dhe Tel Avivi u përgjigj menjëherë. Më shumë se 4700 njerëz kanë vdekur nga sulmet e përgjakshme.

Vritet kreu i forcave të sigurisë së Hamasit: Mediat pranë Hamasit, kanë deklaruar se Izraeli, me anë të sulmeve ajrore ka vrarë kreun e sigurisë të forcave të organizatës, Jehad Mheisen. Ky i fundit u vra në shtëpinë e tij. Edhe familjarët e tij mësohet se kanë vdekur nga sulmet me raketa.

E veja e bashkëthemeluesit të Hamasit, Abdel Aziz al-Rantisi gjithashtu raportohet të jetë vrarë gjatë natës. Ata janë figurat  të larta të Hamasit që kanë vdekur nga bombardimet e fundit, në atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka përshkruar si luftën e gjatë, që vendi i tij po bën kundër Hamasit.

Të mërkurën, agjencia e lajmeve AFP raportoi se Jamila Al-Shantee, gruaja e parë e zgjedhur në udhëheqjen politike të Hamasit, ishte vrarë në një sulm izraelit.

Në fillim të kësaj jave, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë në një postim në X, se Ayman Nofal, i përshkruar si një zyrtar i lartë i Hamasit, ishte vrarë gjithashtu. /Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB