
GAZA - Luftimet në Gaza vazhdojnë. Në mediat sociale dhe mediat palestineze ka raportime për shpërthime në Khan Younis, një qytet në jug të Gazës. Ndërsa, qindra e mijëra banorë të Gazës u zhvendosën në qytet, pasi ushtria izraelite urdhëroi komunitetet në veri të evakuoheshin drejt jugut për sigurinë e tyre. Por, Izraeli ka vazhduar të kryejë sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazëz, duke përfshirë edhe jugun. Ka gjithashtu raporte për vdekje dhe shembje ndërtesash në Rafah në jug të Gazës, që i atribuohen sulmeve ajrore izraelite.
Mediat palestineze raportuan gjithashtu se ushtarët izraelitë hynë në qytete të ndryshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë Jenin dhe Tulkarm. Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur ndjeshëm, që kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit më 7 tetor.
Ka pasur gjithashtu raportime për luftëtarë palestinezë që kanë lëshuar raketa drejt Izraelit dhe kanë nisur sulme ndaj ushtrisë izraelite në Gaza.
“Efekti i luftës tek të rinjtë është shumë i rrezikshëm, mund të shkaktojë një ndjenjë rebelimi, një ndjenjë hakmarrjeje ose urrejtjeje. Urrejtja po rritet dhe kjo nuk është diçka e mirë. Dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të marrim fort masat menjëherë”, tha laureati i Nobelit, Kailash Satyarthi.
"Fëmijët nuk kanë shkaktuar kurrë luftëra dhe konflikte të armatosura, por ata janë viktima. Ata nuk janë përgjegjës për krime. Por ata duhet të paguajnë çmimin më të lartë, deri me jetën e tyre", tha ai.
Satyarthi, i cili fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2014 për punën e tij në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në mbarë botën, ishte në mesin e më shumë se 100 laureatëve të Nobelit që publikuan një deklaratë muajin e kaluar, duke bërë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve që jetojnë në Izrael dhe Gaza.
"Fëmijët palestinezë janë fëmijët tanë. Fëmijët izraelitë janë fëmijët tanë. Ne nuk mund ta konsiderojmë veten të civilizuar nëse nuk mendojmë kështu,"- shtoi ai.
Sot bëhet muaji nga dita kur në Izrael u vranë 1,400 njerëz, kryesisht civilë, në komunitetet e tyre. Më shumë se 200 të tjerë u rrëmbyen dhe u dërguan në Gaza për t'u mbajtur si pengje. Izraeli thotë se sulmet e tij dhe ofensiva tokësore në Gaza do të shkatërrojnë Hamasin dhe kërcënimin që paraqet për ta, por thekson që po punon për të minimizuar viktimat civile. Më shumë se 10,300 njerëz janë vrarë në Gaza, duke përfshirë më shumë se 4,100 fëmijë./Zëri.ai