
KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur se çështja e dinarit serb duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara duhet të sigurohet mbrojtja e territorit dhe qytetarëve të saj.
Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve. E pyetur për vërejtjet e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për Qeverinë e Kosovës, Osmani tha se për sigurinë dhe çështje të tjera të mëdha duhet bashkëpunim me SHBA-në.
“Të jemi shumë të sinqertë – Kosova ka probleme shumë më të mëdha. Ndër të tjera, problemet e sigurisë. Sigurimi i kufirit nga Serbia, e cila vazhdimisht mendon se si ta sulmojë Kosovën. Kështu që secili prej nesh duhet të ulemi bashkë me aleatët tanë, përfshirë aleatin kryesor, Shtetet e Bashkuara, dhe të sigurohemi që mbrohet çdo pëllëmb e territorit tonë dhe çdo qytetar i Republikës sonë. Për ta arrritur këtë, duhet të punojmë bashkë me aleatët dhe kjo nuk është njëgjë që ka dikush në Kosovë që nuk e di. Secili qytetar i Republikës së Kosovës e di këtë fakt kaq të qartë, që për ta mbrojtur Kosovën, kufijtë e saj, sigurinë e saj, ne duhet të bashkëpunojmë me aleatët tanë të sigurisë”, tha Osmani në Lipjan, ku ishte për vizitë.
Presidentja e shmangu disi kërkesën e gazetarëve për të komentuar fjalët që Escobar i tha javën e kaluar për të dhe për kryeministrin Albin Kurti. Por ajo kujtoi se Kosova është shtet, ndër tjerash, edhe për shkak të përkrahjes nga aleatët.
“Unë mund të komentoj qasjen që e kam unë si presidente e Republikës me të gjitha institucionet brenda vendit, por edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Republika e Kosovës është shtet që ka lindë shkaku i sakrificës së popullit të Kosovës, luftës sonë çlirimtare, rezistencës shumëvjeçare, e njëkohësisht për shkak të përkrahjes, do të thoja, historike, që e kemi marrë nga aleatët tanë. Ne këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë, sepse nuk ka qenë vetëm përkrahje e njëhershme, pra vetëm në vitin ’99, por çdo hap përpara që Kosova e ka bërë, e ka bërë bashkë me aleatët euroatlantikë dhe ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë. Punët e mëdha gjithmonë i kemi bërë bashkë. Punët e mëdha duhet t’i bëjmë bashkë edhe tash e tutje”, tha Osmani.
Dinari serb
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb pritet të diskutohet në Bruksel./ZËRI