
SERBI- Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç në një fjalim televiziv drejtuar popullit ka komentuar çështjen e dinarit serb. Ai u shpreh se Serbisë po i kërkohet t’i “shesë” bankës Raiffeisen apo ndonjë banke tjetër, bankën serbe, Kursimora e Postës, shkruajnë mediat serbe.
Duke mos dhënë më shumë detaje për komentin e tij, Vuçiç nguli këmbë se Serbia nuk mund dhe nuk do të pranojë heqjen e dinarit nga përdorimi në Kosovë. Lideri serb ndër të tjera paralajmëroi se Serbia do të marrë vendim serioz për Këshillin e Evropës, nëse kjo organizatë evropiane e pranon Kosovën si anëtare.
“Ne do të vazhdojmë të flasim për Kosovën, do të marrim edhe vendime për Këshillin e Evropës. Mendoj se reagimi i Serbisë duhet të jetë i fortë, serioz dhe i përgjegjshëm”, tha Vuçiç pa shpjeguar se cili do të jetë vendimi i vendit të tij nëse Kosova bëhet anëtarja më e re e Këshillit të Evropës muajt e ardhshëm.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend. Kjo çështje, përveçse zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë. Serbët e Kosovës që nga paslufta kanë marrë pagesa në dinarë nga shteti serb edhe përmes degës së Kursimorës së Postës në Kosovë, e cila është njëra nga bankat më të mëdha serbe./ZËRI