Bota

Nga Dinari te Asosacioni/ O'Brien komenton çështjet "e nxehta" Kosovë-Serbi: Palët të ulin tensionet!

Sa i takon çështjes së dinarit serb, O'Brien shprehet se asnjë Qeveri nuk duhet të marrë vendime që varfërojnë popullsinë.

a.l
Nga Dinari te Asosacioni/ O'Brien komenton çështjet "e
James O'Brien

KOSOVË- Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien në një bashkëbisedim "online" me gazetarët ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi. Fillimisht ai është shprehur se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, ndërsa u ka bërë thirrje palëve që të marrin veprime për uljen e tensioneve në rajon. Zyrtari amerikan ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.

“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha ai. 

Sa i takon çështjes së dinarit serb, O'Brien shprehet se asnjë Qeveri nuk duhet të marrë vendime që varfërojnë popullsinë.

“Por, ne e shohim që në veri të Kosovës është shumë e vështirë për një numër individësh që t’i blejnë gjërat që u duhen për përditshmërinë e tyre”, tha ai. 

Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, në konferencën për media ka folur edhe për synimin e Kosovës që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe kushtet që Kosova duhet të plotësojë përpara se kërkesa e Kosovës të vihet në votim në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës. Sipas tij implementimi i vendimit për Manastirin e Deçanit ka qenë një vendim që ka shënuar progres dhe që SHBA publikisht e ka mirëpritur.

“Përmbushja e vendimit për Manastirin e Deçanit ishte një progres i mirë, dhe ne në mënyrë publike kemi mirëpritur hapat që qeveria ka ndërmarrë”, ka thënë O’Brien.

Ai gjithashtu ka kujtuar deklaratën e bërë më herët nga Raportuesja për Kosovën në Këshill të Evropës e cila u shpreh se Kosova duhet të bëjë progres sa i përket themelimit të Asociacionit, para se çështja e Kosovës të vihet në votim në Këshill të Ministrave./ZËRI

Poll

MOS HUMB