HAGË- Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po zhvillohet dita e tretë e fazës përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq ka nisur shpalosjen e deklaratës përmbyllëse prej orës 9 të mëngjesit. Mishetiq e ka nisur fjalën e vet duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës është i pafajshëm dhe kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.
“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor”, u tha Mishetiq gjyqtarëve.
Djë, më 10 shkurt, në ditën e dytë, Prokuroria e Specializuar përmbylli fjalën e saj, duke pretenduar se Hashim Thaçi i kishte gënjyer disa herë ndërkombëtarët.
Ndërkohë, gjatë kësaj jave ekipet mbrojtëse dhe ish-krerët e UÇK-së, kanë mundësi që për herë të fundit t'i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë proces. Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.
Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet burg. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm. /ZËRI