
MOSKË- Sot, 24 Marsi është shpallur ditë zie kombëtare në Rusi, në ndër të të vrarëve në masakrën e ndodhur në sallën e koncerteve "Crocus City Hall", sulmi më vdekjeprurës i ndodhur në 2 dekada në tokën ruse. Sulmi është marrë përsipër nga grupi i Shtetit Islamik (ISIS-K). Shteti Islamik ka publikuar pamjet e reja të sulmit në sallën e koncerteve, ku vranë 137 persona dhe plagosën dhjetra të tjerë. Videot, të cilat u publikuan nga agjencia e lajmeve e Shtetit Islamik, Amaq, treguan personat e armatosur duke filmuar veten ndërsa qëllonin dhe i thoshin njëri-tjetrit: Vritini pa mëshirë!
Por pse ndodhi sulmi?
ISIS-K ka pasur një "monomani" kundër Rusisë për dy vjet, sepse Vladimir Putin ndërhyri në luftën siriane në vitin 2015 dhe ndryshoi rezultatin e saj në favor të presidentit Bashar al-Assad dhe kundër Shtetit Islamik. Organizata shpesh kritikonte presidentin rus në mediat e saj propagandistike dhe akuzonte Kremlinin se kishte gjak myslimanësh në duart e tyre për shkak të ndërhyrjeve të saj në Afganistan, Siri dhe Çeçeni.
Reagimet ndërkombëtare
Shtetet e Bashkuara, vendet evropiane dhe arabe, Kina dhe shumë ish-republika sovjetike dënuan sulmin në Moskë dhe shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave. Zëdhënësja e Kremlinit, Maria Zakharova foli për një akt të përgjakshëm terrorizmi, ndërsa zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, i përshkroi pamjet nga skena e sulmit si të tmerrshme dhe theksoi se SHBA nuk ka prova që ukrainasit ishin të përfshirë në sulm. Nëpërmjet këshilltarit të tij Mykhailo Podoliak, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky siguroi se vendi i tij nuk ishte i përfshirë në sulmin e ndodhur.
Ky është sulmi më i keq terrorist në Moskë që nga viti 2002, kur separatistët çeçenë sulmuan teatrin Dubrovka të Moskës, morën peng 850 spektatorë dhe vranë 170 persona gjatë operacionit që pasoi për neutralizimin e tyre nga forcat speciale ruse. Por të gjitha pretendimet e ngritura për Ukrainën u rrëzuan pasi sulmi u mor përsipër nga ISIS. Por kjo nuk ka ndryshuar asgjë.
Qytetarët rusë janë të tronditur
Në gjendje shoku, dhjetëra rusë u dyndën dje të shtunën në qendrat e dhurimit të gjakut në Moskë për të ndihmuar të plagosurit.
"Kur e shihni këtë situatë, nuk doni të qëndroni larg, ju dëshironi të ndihmoni,"- i tha AFP, Vladislav, një student 18-vjeçar që ishte në radhë për të dhuruar gjak. Muzetë dhe teatrot e Moskës njoftuan se do të mbylleshin gjatë fundjavës për shkak të sulmit. Gjithashtu, kinematë janë mbyllur dje (23/3) dhe sot (24/3), për të nderuar kujtimin e viktimave.
Nga se ka frikë Perëndimi?
Ankthi dhe shqetësimi në kryeqytetet evropiane për mënyrën sesi Kremlini do t'i përgjigjet sulmit terrorist janë tashmë të arsyeshëm. Nëse presidenti rus Vladimir Putin këmbëngul në skenarin e Ukrainës, ose edhe më keq, dëshiron të përfshijë vende të tjera, atëherë përshkallëzimi i tensionit duhet të konsiderohet shumë i mundshëm me pasoja të paparashikueshme.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina këmbëngulin, e para se nuk ka asnjë provë për përfshirjen e Kievit, dhe e dyta se është e qartë se nuk janë të përfshirë. Megjithatë, këmbëngulja e Uashingtonit dhe e Kievit nuk duket se e qetëson Kremlinin. Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Kremlini ta përdorë sulmin terrorist si pretekst për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, edhe me përdorimin e armëve të rënda, të cilat i ka në dispozicion./ZËRI