
UASHINGTON- Ish-presidenti i SHBA Donald Trump ka deklaruar se nëse ai humbet zgjedhjet presidenciale në nëntor 2024, nuk do të kandidojë më për postin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Trump, i cili është 78 vjeç ka qenë kandidati republikan për tre zgjedhje kombëtare radhazi, lajmin lidhur me planet e tij e dha gjatë intervistës me "Sinclair Media Group".
“Nëse humbas nuk kandidoj sërish. Mendoj se është e drejtë kështu. Nuk e shoh më si mundësi rikandidimin. Por shpresojmë të jemi shumë të suksesshëm", tha Trump.
Sipas ligjit amerikan, presidentët nuk mund të shërbejnë më shumë se dy mandate dhe nëse Trump fiton, ai nuk do të kandidojë më në vitin 2028. Manjati amerikan në rrjetin e tij social “Truth Social” e ka vetëshpallur veten si fitues për këto zgjedhje. Pavarësisht postimeve të tij, kjo është hera e dytë që ai e ka pranuar se ekziston mundësia që të humbasë këto zgjedhje.
Gjithashtu një nga arsyet pse ai dyshohet të mos kandidojë sërish është sepse në 2028, Trump do të jetë 82 vjeç. Joe Biden, është aktualisht 81 vjeç, e përgjatë të gjithë fushatës për president (para se Biden të tërhiqej dhe t'i linte vendin Kamala Harris), Trump e sulmoi për moshën duke e cilësuar "shumë plak për të drejtuar vendin". Kështu që në një farë mënyrë, penalizoi edhe veten./ZËRI