
GREQI- Një tragjedi ka ndodhur në brigjet e Egjeut Lindor, ku është fundosur një anije me 33 emigrantë, nga të cilët 3 janë gjetur të vdekur, 5 të mbijetuar dhe 25 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur.
Policia bregdetare greke, njofton se barka me 33 persona, emigrantë nga vendet e treta, u përmbys vetëm pak metra përpara se të arrinte në ishull. Banorë dhe peshkatarë që ndodheshin pranë zonës, ndihmuan në nxjerrjen në breg të 5 personave të mbijetuar, ndërsa në mesin e 3 viktimave, dy prej tyre ishin vajza të mitura.
Operacioni i kërkimit në të cilin marrin pjesë dhjetëra forca të rojes bregdetare, helikopterë por edhe banorë të zonës me motoskafët e tyre vazhdon ende, por me kalimin e orëve shpresat po shuhen për të gjetur persona të mbijetuar.
Kushtet atmosferike duket se e vështirësojnë edhe më tepër situatën, për shkak të erës së fortë dhe dallgëve. Ekipet e shpëtimit thonë se zona e kërkimit është shkëmbore dhe ka rrymë të fortë, ndërsa deti i trazuar shuan çdo çast shpresat për gjetjen në jetë të emigrantëve.
Të shpëtuarit u dërguan në spitalin e ishullit kurse trupat e viktimave në morg, ndërkohë që identifikimi i tyre do të jetë i vështirë. /ZËRI