
KOSOVË- Mediat e Kosovës kanë raportuar detaje mbi momentin e identifikimit të kufomës së Faton Hajrizit që është bërë nga familjarët e tij. Ka qenë e ëma ajo që ka shkuar për të firmosur për identifikimin e trupit, e cila ka qëndruar dhe për disa çaste mbi kokën e djalit të saj të ndjerë.
“E puthi në ballë, bisedoi me të por nuk derdhi asnjë pikë loti. Ne të tjerët që ishim aty nuk u përmbajtëm,”- tregon një burim për Indeksonline.
Faton Hajrizi do të varroset të dielën në Klinë të Skenderajt në orën 14:00.
Faton Hajrizi u arratis nga një burg në Kosovë më 6 korrik, ndërsa disa ditë më pas, më 18 Korrik, qëlloi për vdekje një polic serb dhe plagosi kolegun e tij në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë. Pas sulmit, autoritetet serbe e shpallën në kërkim. Një ditë më pas, më 19, Faton Hajrizi u vra nga autoritetet serbe pranë kufirit të Lloznicës. Ministri i Brendshëm i Serbisë tha se Hajrizi hapi zjarr ndaj Policisë dhe për këtë arsye u ekzekutua menjëherë nga forcat e rendit./ZËRI