TEL AVIV- Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu reagoi për sulmin ajror të kryer nga forcat izraelite në Bejrut, ku mbeti i vrarë lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Netanyahu tha se ekzekutimi i Nasrallah është një simbol shprese për të gjirhë ata që kundërshtojnë boshtin e së keqës të Iranit. Ai gjithashtu paralajmëroi Teheranin se nuk ka as një vend në Lindjen e Mesme, ku Izraeli nuk mund të ndërhyjë.
“Të gjithë ata që kundërshtojnë boshtin e së keqes, të gjithë ata që rënkojnë nën tiraninë e dhunshme të Iranit dhe përfaqësuesve të tij në Liban, Siri, vetë Iran dhe gjetkë, të gjithë ata u mbushën me shpresë sot. Unë u them qytetarëve të atyre vendeve: Izraeli qëndron me ju. Nuk ka vend në Iran apo në Lindjen e Mesme që krahu i gjatë i Izraelit nuk do ta arrijë dhe sot ju tashmë e mësuat se sa e vërtetë është kjo”, tha ai.
Hezbollahu konfirmoi vdekjen e liderit të tij, Hassan Nasrallah, pas një sulmi ajror izraelit në Bejrut. Grupi libanez është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe pas fillimit të luftës Hamas- Izrael, ka shkëmbyer çdo ditë zjarr me Tel Avivin. Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani kanë përshkallëzuar situatën dhe sipas të dhënave, ka shënuar numrin më të lartë të viktimave që nga viti 2006. /ZËRI




