
HUNGARI- Shkëmbimet me armë vdekjeprurëse mes kontrabandistëve dhe përplasjet fatale me makina e kanë bërë rrugën e emigrantëve përmes Ballkanit Perëndimor për në BE edhe më të vështirë muajt e fundit. E megjithatë numri i migrantëve në Europë vazhdon të rritet.
Një përleshje me armë mes bandave rivale javën e kaluar la të paktën tre të vdekur, që besohet të jenë afganë. Të shtënat ndodhën në ndërtesat e braktisura të fermave serbe disa qindra metra larg gardhit kufitar hungarez.
Policia fajëson për dhunën në rritje, betejat në terren midis bandave marokene, afgane dhe siriane që kontrollojnë hyrjen në gardhin kufitar në kufirin jugor të Hungarisë me Serbinë.

Banorët e fshatrave kufitare serbe, Horgos dhe Hajdukovo, si dhe qyteti i Suboticës i kanë bërë thirrje policisë që të rivendosë qetësinë. Disa akuzojnë policinë në të dy anët e kufirit për bashkëpunim me kontrabandistët.
"Ndonjëherë agjentët [fjala e tij për kontrabandistët] janë shumë mizorë, shumë të zemëruar dhe ata na rrahën", tha Sadar, një 33-vjeçar, ish-oficer i ushtrisë afgane. "Në raste të tjera ata janë të sjellshëm, na sjellin ushqim dhe na japin strehim të mirë", shton ai.
Një video nga mediat ndërkombëtare në Suboticë tregon kontrabandistët që qortojnë dhe rrahin të rinjtë e tmerruar afganë, që u përpoqën të kalonin gardhin pa paguar. Një video tjetër tregon një përleshje me armë pranë Suboticës. Kryeministri hungarez ka pasur gjithmonë një retorikë të ashpër antimigratore.
Gardhi i frikshëm hungarez me tela të elektrizuar përgjatë kufirit 175 km (108 milje) jo vetëm që i ndihmon kontrabandistët të kontrollojnë se kush kalon, por gjithashtu i lejon ata të eliminojnë iniciativat individuale të refugjatëve.
Emigrantët e rinj arrinin të bënin edhe "lojëra". Disa grupe kalonin njëkohësisht nëpër gardh në pika të ndryshme, duke e ditur se shumica do të kapeshin dhe do të ktheheshin mbrapa, por disa mund të kalonin. Loja tani ka përfunduar.

Në një incident vdekjeprurës në korrik të vitit të kaluar, në periferinë Makova Sedmica të Suboticës, një vajzë 16-vjeçare u vra dhe shtatë migrantë u plagosën në një përleshje me armë, që dyshohet se ishte mes bandave marokene dhe afgane.
Të shtënat e së premtes së kaluar, pranë gardhit në Horgos, thuhet se kanë nisur kur një bandë e udhëhequr siriane sulmoi një bandë afgane. Emigrantët që kalojnë përmes Serbisë veriore janë kryesisht sirianë dhe afganë, por ka edhe kurdë, pakistanezë, shqiptarë dhe kombësi të tjera.
Policia thotë se kontrabandistët janë të armatosur, jo emigrantët.
"Unë e kuptoj frikën e njerëzve vendas", thotë Virag Gyurkovic, një gazetar nga Subotica. "Por problemi është se njeriu mesatar nuk bën dallimin mes trafikantëve dhe refugjatëve. Refugjatët janë gjithashtu viktima", tha gazetari.
"Teli ka vetëm një qëllim. Jo për të ndaluar migrimin. Por për të pasur kontrollin e pagesave. Ata duan çdo euro nga çdo njeri që kalon kufirin”, thotë aktivisti vendas Vladimir Polovina.
Në anën hungareze, janë parë skena dhune, të njerëzve që kanë sulmuar edhe policinë, ndërsa mbajnë armë në duar. Kontrabandistët kanë nisur të përdorin së tepërmi armë në këtë zonë.
“Gardhi po dëmtohet vazhdimisht”, thotë kreu i njësisë antitrafik të policisë hungareze, Gabor Balog. Kjo ndodh sepse njerëzit hapin vrima në gardhe, disa tentojnë që ta shkatërrojnë fare atë.
Policia hungareze thotë se rreth 80 persona, kapen pasi kalojnë gardhin çdo natë. Shumë të tjerë janë kapur më vonë në automjete, duke udhëtuar në Hungari, në përpjekje për të shkuar në Europën Perëndimore.
Ka edhe raste të rrahjes së emigrantëve nga policia hungareze. Nuk ka shifra për ata që ikin, por shumica e të arrestuarve janë kthyer mbrapa. Për keqtrajtime emigrantësh, Hungaria është dënuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.
Makina të shkatërruara dhe të djegura rreshtohen buzë rrugës në anën hungareze të gardhit midis fshatrave Asotthalom dhe Morahalom. Këto janë mjetet e përdorura nga kontrabandistët, të cilët më pas janë kapur.
Në anën e largët të Hungarisë, pranë kufirit verior me Sllovakinë, copa pasqyre të thyera dhe plastike shtrihen në një lokal, pranë rrethrrotullimit në fshatin Matraverebely.
Këtu një furgon, që po ecte me shpejtësi të lartë e që kishte 12 migrantë doli jashtë kontrollit dhe u përplas gjatë një ndjekjeje policore në fillim të tetorit në autostradën 21. Shtatë emigrantë u plagosën.
Ky ishte një nga të paktën 20 aksidentet me furgona që kontrabandonin emigrantët në Hungari, vitin e kaluar.
Përtej kufirit në Austri, policia liston 70 incidente vetëm në rajonin lindor të Burgenland, kur kontrabandistët u përpoqën të shmangnin kontrollet e policisë.
Policia austriake fajëson një model të ri biznesi të prezantuar nga bosët e bandave. Shoferët paguhen vetëm nëse janë të suksesshëm, ndërsa në të kaluarën ata merrnin gjysmën e parave të tyre paraprakisht./Zëri.ai/