Bota

Erdogan: Gaza si Palestina, Netanyahu përgjegjës për bombardimet

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan tha se Ankaraja do bëjë gjithçka që 'krimet e luftës' në Gaza të gjykohen në Hagë. Ai tha se do ndërpresë kontaktet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

D.XH
Erdogan: Gaza si Palestina, Netanyahu përgjegjës për bombardimet
Erdogan

TURQI - Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha më 4 nëntor se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ishte më dikush, me të cilin mund të fliste dhe tha se Ankaraja do të bëjë gjithçka që ‘krimet e luftës’ së Gazës të gjykohen në Hagë.

Gjatë fluturimit me aeroplan gjatë kthimit nga një vizitë zyrtare në Kazakistan, Erdogan deklaroi se Netanyahu është përgjegjës për sulmet në Rripin e Gazës dhe shtoi se mbështetja për kryeministrin izraelit është e dobët.

Presidenti i Turqisë theksoi se “masakra që po ndodh sot në Rripin e Gazës” i kujton atij Srebrenicën e vitit 1995.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjës në zemër të Evropës në të kaluarën. Vendet evropiane atëherë, si edhe sot, heshtën dhe mbyllën sytë para masakrës”, theksoi Erdogan.

Më tej, Erdogan u shpreh se Benjamin Netanyahu nuk është dikush, me të cilin mund të flasësh. Sipas tij, lëvizjet e Netanyahut nuk kanë të bëjnë me librat fetarë.

“Netanyahu nuk është më në asnjë mënyrë bashkëbiseduesi ynë. Ne nuk e kemi më atë në listë. Vendimin për këtë çështje do ta shpall në kontaktet që do të kemi në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik”, shtoi lideri turk.

Udhëheqësi i Turqisë tha gjithashtu se Turqia është gati që të japë kontribut për paqe në Gaza. Erdogan theksoi se bota po mbyll një sy ndaj "sulmeve brutale të Izraelit ndaj civilëve dhe infrastrukturës shëndetësore" dhe se po "lënë foshnja dhe civilë" të vdesin.

Kreu i shtetit të Turqisë kritikoi edhe BE-në, duke theksuar se nuk ka bërë asgjë për situatën në Gaza.

Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa ushtria izraelite ka ndërhyrë tashmë në enclave. Më tepër se 10500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e të dyja palëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB