
ANKARA- Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Eerdogan, në një deklaratë për mediat, ka kritikuar sulmet e njëpasnjëshme, që po ndërmerr Izraeli. Erdogan tha se Turqia dënon vrasjen e civilëve në Gaza.
“Ne kundërshtojmë vrasjen e civilëve në Izrael. Rrjedhimisht, ne nuk pranojmë për asnjë arsye masakrën e civilëve në Gaza nga bombardimet e pamëshirshme”, u shpreh presidenti turk, një ditë pas deklaratave të tij të djeshme, ku kritikoi edhe SHBA-të, për faktin se po armatos shtetin izraelit.
“Kur ndërpret ujin, energjinë elektrike dhe aksesin në një qytet dhe shkatërron infrastrukturën e tij, kur shkatërron xhamitë, kishat dhe shkollat, parandalon ndihmën humanitare për banorët, shkatërron ndërtesat plot me civilë, kjo nuk është luftë, por kasaphanë”, tha ai.
“Sulmet asimetrike dhe imorale kundër Gazës do ta vendosin Izraelin në një pozitë të padëshirueshme në komunitetin botëror. Bombardimi i zonave ku jetojnë civilë, vrasja e qëllimshme e civilëve, bllokimi i automjeteve që transportonin ndihma humanitare dhe paraqitja e gjithë kësaj si vepër legjitime, nuk janë pasqyrë e një shteti, por e një organizate. Nëse Izraeli nuk sillet si shtet, por si organizatë, atëherë duhet ta dijë se do të trajtohet si një organizatë”, theksoi Erdogan.
Më tej, Erdogan shtoi se paqja në rajon do të vijë vetëm me krijimin e një shteti palestinez. “Qetësia dhe paqja e përhershme në rajon do të vijnë vetëm me krijimin e shtetit palestinez, një shtet gjeografikisht të unifikuar në përputhje me vendimet e OKB-së, në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin si kryeqytet dhe njohjen nga e gjithë bota.
Që Izraeli të vazhdojë të ekzistojë si shtet dhe të jetë në gjendje të sigurojë sigurinë e qytetarëve të tij, është e mundur vetëm në këtë mënyrë. Përndryshe, incidentet që kanë shpërthyer nuk do të kenë fund dhe do të pasojnë tragjedi më të rënda”, theksoi Erdogan./Zëri.ai/