
KOSOVË- Targat kanë qenë një nga temat më të ndjeshme në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Shumë përplasje e madje edhe trazira në veri u shkaktuan për këtë çështje, ndërsa u arrit edhe një marrëveshje e kompromisit për stikera/letër ngjitëse mbi targat e Kosovës dhe Serbisë.
Por tashmë nuk do të ketë as stikera mbi targat e Kosovës, por as mbi ato të Serbisë. Në një komunikatë për mediet, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se në mbledhjen e qeverisë e cila është mbajtur online, ështe miratuar vendimi për largimin e regjimit të stikerave.
Sipas Qeverisë, ky vendim vjen si akt i fqinjësisë së mirë dhe pas njohjes së plotë të targave të Kosovës nga ana e Serbisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitësve/stikerave për veturat me targa të Serbisë.
Heqja e regjimit të letër ngjitësve/stikerave është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia.
Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.” – shkruhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Në gusht të vitit të shkuar Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, arritën një marrëveshje për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave. Për serbët e Kosovës që mbanin targa të makinave ilegale, qeveria dha afat deri më 15 dhjetor të 2023-shit që t'i konvertojnë targat e tyre në RKS. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Kosovës, rreth 4 mijë e 200 makina të serbëve janë me targa të reja, ndërsa, shumë të tjerë i kanë regjistruar makinat e tyre edhe në Serbi dhe ata natyrisht lejohen t'i përdorin ato edhe në Kosovë sikurse targat e çdo vendi tjetër./ZËRI