
VATIKAN - Papa Françesku ka deklaruar se është pro idesë që priftërinjtë katolikë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks. Kështu Papa përmbys një ndalim të mëparshëm, të lëshuar nga Komisioni i Vatikanit.
Gjithsesi bëhet e qartë se kjo nuk do të thotë se lejohet martesa me rite fetare e çifteve të të njëjtit seks. Në të njëjtën kohë, nuk lejohen ceremonitë fetare, që mund të shkaktojnë ngatërrim me zhvillimin e martesës.
“Është e mundur të bekohen çiftet në situatë të parregullt dhe çiftet e të njëjtit seks, në një formë që nuk duhet të ketw rituale nga autoritetet kishtare, për të mos krijuar konfuzion me bekimin specifik të sakramentit të martesës”, shpjegon dokumenti i botuar në disa gjuhë nga Vatikani.
Nëpërmjet kësaj nisme, Papa u ofron njëfarë njohjeje çifteve homoseksuale, të refuzuara prej kohësh nga Kisha Katolike. Ky përparim vjen pas një letre drejtuar kardinalëve konservatorë në korrik, në të cilën Papa përmendi për herë të parë autorizimin e bekimeve për çiftet e të njëjtit seks, si dhe për personat e divorcuar. Kryesisht i kryer nga një prift, bekimi përbëhet nga thirrja e dashamirësisë hyjnorë ndaj një personi ose një asambleje, sipas përkufizimit të Kishës Katolike.
Është hera e parë që Kisha Katolike shprehet qartë për këtë temë, duke iu referuar një ‘bekimi për shëndetin, ndihmën reciproke, mbështetjen dhe paqen shpirtërore të çifteve të të njëjtit seks’./ZËRI/