
GREQI- 600 mijë euro dyshohet se kanë përfunduar në xhepat e Konstantinos Polikronopulos. Ky i fundit, kishte hapur një organizatë bamirësie për të ndihmuar njerëzit në nevojë, por fondet që dhuronin donatorët ai i mbante për vete. "Protothema" ka analizuar sot rastin e tij, duke zbuluar se “bamirësia” që ai reklamonte në rrjetet sociale përdorej për përfitimet e veta personale. Madje për të reklamuar sa më shumë biznesin e tij, përdorte edhe personazhe të famshëm, këngëtarë e politikanë, duke i marrë për t’u shërbyer ushqim të varfërve.
Teksa për veten kishte ndërtuar një reputacion të caktuar, paratë që përfitonte përmes organizatës së tij nga donacionet e qytetarëve, Polikronopulos i pastronte përmes lojrave të fatit online. Deri para se të plaste skandali, Polikronopulos respektohej si një person human dhe me zemër të mirë, që ndihmonte njerëzit në nevojë dhe pa kërkuar asnjë gjë në shkëmbim. Ai ishte vlerësuar për punën e tij si një xhevahir i rrallë në shoqëri. Në kontrast të plotë me mashtrimin, albumet e tij fotografike të mediave sociale janë një koleksion i dhjetëra fotove që tregojnë solidaritet me personat në nevojë. Për shembull në një foto, Konstantinos Polychronopoulos hap krahët dhe qan me një familje refugjatësh që sapo kanë shkelur në tokën greke. Në foto të tjera, Konstantinos Polychronopoulos ndan gatimin dhe servirjen e "ushqimit falas për të gjithë" me njerëz të famshëm, ndër to përmendim: presidenten e Republikës Katerina Sakellaropoulou; presidentin e PASOK-ut Nikos Androulakis, por edhe me personazhe të famshëm të botës së artit, si Giorgos Mazonakis.
Në fund të fundit, kush nuk do të dëshironte të ndihmonte, ta lidhte emrin e tij me "Kuzhina Sociale" duke e treguar veten edhe si një person 'zemërmirë' në publik?
Ai e konceptoi idenë e "Njeriu tjetër" në vitin 2011 në një kohë që kriza ekonomike në Greqi ishte në një trajektore përkeqësimi të pakontrolluar. Duke parë, i habitur, dy fëmijë të vegjël që luftonin për disa fruta të prishura nga tregu i rrugës së lagjes së tij, Polikronopulos ndjeu një nxitje të brendshme të parezistueshme për të vepruar. Ose të paktën ashtu pretendon. Siç ka rrëfyer vetë në një intervistë, ai shkoi në shtëpinë e babait të tij ku jetonte pasi kishte mbetur pa punë dhe përgatiti disa vakte për të ushqyer fëmijët që gërmonin nëpër kosha për ndonjë ushqim të kalbur. Prillin e kaluar, Konstantinos Polychronopoulos u detyrua të mbyllë përkohësisht selinë e “Allos Anthropos” në Kerameikos pas ankesave të banorëve, por sërish e gjeti një mënyrë për të vazhduar teatrin që kishte në kokë.
Tani ai kërkohet nga Prokuroria që të japë sqarime, për të cilat shprehet e gatshëm: Mirë që më kërkojnë, të më kapin nëse pastroj para. Nuk janë vetëm 600 mijë euro. Janë mbi 1.5 milionë euro në dy-tre vitet e fundit. Vetëm ushqimet që kemi shpërndarë, po flasim për 18 milionë porcione ushqime, llogarisni vetë sa para bëjnë.
Por sa i sinqertë është në pretendimet e tij...kjo mbetet për t'u parë./ZËRI