
KOSOVË – Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Zveçla njoftoi se sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe serbe. Lajmërimin e dha ministri i Brendshëm i Kosovës, përmes një njoftimi në rrjetet sociale. Zveçla shpërndau edhe videon e aksionit, ku shihet së bashku me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ministri tha se këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë.
Postimi i ministrit të Brendshëm të Kosovës Xhelal Zveçla:
Sot në Zveçan janë larguar billbordet ilegale me simbole dhe imazhe të diktatorëve e agresorëve të cilat janë të papranueshme në Republikën e Kosovës.
Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë për vlerat demokratike dhe orientimin euro-atlantik të saj ndërkaq si institucione mbesim të përkushtuar për rend e ligj dhe zbatim të kushtetushmërisë në çdo pjesë të vendit tonë.
Këto billborde e imazhe të fashistëve e agresorëve si Vladimir Putin dhe kundërshtarëve të shtetit tonë, nuk do të gjejnë vend në shtetin tonë.
Pllakata që nderon figurat e shtetit të Serbisë në Zveçan është larguar mëngjesin e së enjtes së 25 janarit.
Daçiç: Albin Kurti po përshkallëzon situatën në Kosovë
Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, duke komentuar veprimet e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, tha se ato po rrezikojnë serbët në Kosovë. Ai shtoi se në Kosovëë, kudo shkruhet Republika e Kosovës. “Kudo në Kosovë shkruhet Republika e Kosovës dhe ky është një provokim. Edhe në fletë-votime shkruhet Republika e Kosovës. Situata në Kosovë paraqitet e turbullt. Kurti po provokon, duke përshkallëzuar situatën. Ne e kemi të qartë se nuk do ta njohim Kosovën dhe as do të lejojmë anëtarësimin e saj në OKB. Ne do të ruajmë sovranitetin e Serbisë”, tha Daçiç./ZËRI/