SUCRE- Trupat e tre serbëve të vrarë në Amerikën e Jugut u gjetën në qese plastike të zeza! Sipas informacioneve jozyrtare, ata u torturuan dhe më pas u ekzekutuan në Bolivi. Viktimat janë identifikuar si: Miljan Đekić (38) nga Nishi, Dejanco Lazarevski (43) i njohur si shtetas maqedonas nga Strumica dhe një i tretë i cili nuk është identifikuar zyrtarisht por nga burimet jozyrtare mësohet se quhet Mali Kosta. Të tre u gjetën të torturuar dhe të vrarë, ndërsa trupat e tyre ishin të mbështjellë në thasë të zinj prej najloni.
Siç raportohet nga mediat serbe, ishin fqinjët ata që thirrën Policinë pikërisht për shkak të zhurmave të pazakonta që vinin nga shtëpia në Santa Cruz, e cila jepet me qira.

"Atë mbrëmje, rreth orës 23:00, u dëgjua muzikë me zë të lartë, e ndjekur nga britma. Pas pak, gjithçka u qetësua. Ne thirrëm Policinë, e cila mbërriti shpejt dhe po aq shpejt e gjithë shtëpia u rrethua me kordon,"-tregoi një nga fqinjët. Po sipas tyre, tre serbët nuk kishin shumë kohë që ishin vendosur në vilë. Për ngjarjen, 4 persona u vendosën në pranga, por ende nuk dihet se cili është roli i tyre në ngjarje.
"Raporti mjeko-ligjor zbulon se viktimat kanë pësuar tortura dhe masakra të tmerrshme përpara se të vriteshin. Sipas informacioneve të para, pas torturave brutale, një burrë u qëllua në tëmth, një tjetër kishte dy plagë me armë zjarri në pjesën e prapme të kokës, dhe i treti ka shumë të ngjarë të ketë vdekur para të shtënave, nga goditjet në kokë sepse kishte një kafkë të thyer," - raportojnë mediat boliviane.
Pastaj, siç thonë ata, ekzekutorët i mbështollën tre të vdekurit në qese plastike.

"Në kuzhinë u gjetën trupa të fshehur në thasë të zinj. Dyshohet se plani i vrasësve ishte t'i transportonin në një vend tjetër, por nuk arritën atje sepse Policia hyri me forcë në shtëpi dhe zbuloi krimin."
Motivi i krimit është ende duke u përcaktuar, por hetuesit bolivianë besojnë se konflikti ka të bëjë me trafikimin e kokainës. Në qytetin e lindjes së Miljan Đekić, i njohur si "Hitri", të gjithë janë të tronditur nga informacioni se ai është vrarë në Bolivi.
"Ne të gjithë e dimë se çfarë bënte ai prej vitesh, ishte një sekret i hapur. Megjithatë, jemi të befasuar që ai u vra, sepse ishte jashtëzakonisht i kujdesshëm dhe kujdesej për çdo detaj. Këtu në Nish, ai kishte një apartament në një ndërtesë të re ku disa njerëz të tjerë të lidhur me krimin blinin apartamente, gjoja për të pastruar para. Askush këtu nuk beson se ata u vranë nga bolivianët. Në fshehtësi, thuhet se vrasja e Miljanit u urdhërua nga këtu, nga Serbia ose Mali i Zi, dhe se ndoshta bolivianët ishin autorët ose ndihmësit,"-thotë një person që ka kërkuar të ruajë anonimatin e tij.
Është e njohur tashmë që një numër i madh serbësh dhe malazezësh janë bashkuar dhe kanë krijuar atë që konsiderohet si "kartel ballkanik", i cili është një nga më të fuqishmit kur bëhet fjalë për kontrabandën e kokainës. Anëtarët e kartelit lidhen me prodhuesit e drejtpërdrejtë të kokainës dhe ta kontrabandonin atë nga Amerika e Jugut në Evropë me anije. Shpesh herë pjesë e këtij grupimi janë edhe shtetas shqiptarë./ZËRI