
GREQI- Një tërmet i fuqishëm ka tronditur ishullin e Kretës mbrëmjen e djeshme, duke shkaktuar panik dhe në radhët e pushuesve, në mes të sezonit turistik. Tërmeti i magnitudës 5,3 Rihter tronditi pjesën perëndimore të ishullit, ndërkohë që fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Instituti i Gjeodinamikës në Athinë njofton se matjet fillestare treguan se lëkundja, në orën 07:02 të mëngjesit me atë lokale, u regjistrua rreth 18 kilometra nën shtratin e detit, duke goditur afro 60 kilometra në bregun jugor të ishullit pranë qytetit të vogël portual Palaiochora. Ky tërmet u parapri nga shumë të tjerë më të vegjël në rajon.
Agjencia greke e Mbrojtjes Civile nuk tha fillimisht nëse kishte viktima apo dëmtime në ndërtesa dhe nuk u dha paralajmërim për cunami. “Ne po vëzhgojmë fenomenin dhe nuk mund të themi ende nëse ky ishte tërmeti kryesor, u shpreh sizmologu Gerasimos Chouliaras për radion publike greke ERT”.
Nuk ka raportime për të lënduar, sipas mediave lokale. Megjithatë, tërmeti u ndje në në pjesën më të madhe të Kretës, duke vënë në panik vendasit dhe pushuesit e shumtë. Pllakat afrikane dhe europiane takohen nën shtratin e detit në jug të Kretës. Në mënyrë të përsëritur, kjo shkakton tërmete të forta që përsëriten në mënyrë të vazhdueshme në ishull./ZËRI