
BRUKSEL- NATO po sheh me shqetësim zhvillimet më të fundit në Kosovë. Në një reagim zyrtar lidhur me përplasjen e armatosur në Veri të Kosovës, të dielën e shkuar, shefi i NATO-s, Jens Stolensberg ka bërë me dije se janë të shqetësuar në lidhje me tensionet në rritje, ndaj dhe kanë vendosur shtimin e trupave.
"Misioni i NATO-s KFOR ka një prani të dukshme në mbarë Kosovën. Ne gjithmonë do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Këshilli i Atlantikut të Veriut vetëm dje autorizoi forca shtesë për të menaxhuar situatën aktuale. Jemi të gatshëm që sipas nevojës të bëjmë rregullime të tjera lidhur me qëndrimin e KFOR-it,"- thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Po ashtu, Stolensberg shtoi se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-në, dhe komunitetin diplomatik në Kosovë.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve që menjëherë të de-përshkallëzohen. Ne vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialog me ndërmjetësimin e BE-së, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është vendimtare për sigurinë e përhershme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon,"-ka shtuar ai.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator?
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai