IRAN-Izraeli ka njoftuar se ka vrarë Majid Khademin, kreun e organizatës së inteligjencës së Gardës Revolucionare, në një sulm në Teheran.
Sipas IDF, Khademi ishte një nga komandantët më të lartë në Gardën Revolucionare dhe luajti një rol qendror në mbledhjen e informacionit të përdorur nga udhëheqja e Iranit për të planifikuar dhe kryer operacione. IDF ka shkruar në Telegram se vrasja e tij është "një tjetër goditje e rëndë" për Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC).
Edhe korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit ka njoftuar në një deklaratë të botuar nga mediat iraniane se shefi i tyre i inteligjencës, Majid Khademi, është vrarë.
“Ai komandant i shquar, gjatë pothuaj gjysmë shekulli në mbrojtje të sinqertë dhe të guximshme të Revolucionit, regjimit dhe atdheut islamik në fushat e inteligjencës dhe sigurisë, ka regjistruar rezultate madhështore, të qëndrueshme dhe të frytshme, që për shumë vite mund të shërbejnë si udhërrëfyes për komunitetin e inteligjencës të vendit, veçanërisht në përballjen me armiqtë e jashtëm dhe planet e tyre të liga dhe djallëzore për t’u infiltruar dhe për të minuar sigurinë dhe qetësinë e Iranit krenar”, thekson komunikata.
Khadami ishte emëruar në qershorin e kaluar pas vrasjes së Mohammed Kazemi gjatë luftës 12-ditore./ZËRI