Bota

“Më në fund djem”, zbulohen detaje nga fëmijët sekretë të Putin, njëri mban emrin e tij

Fëmijët jetojnë me dokumente të ndryshme, udhëtojnë me avionë privatë dhe jahte të Putinit, nën mbrojtjen e SHFM (Shërbimi Federal i Mbrojtjes)

I.F
“Më në fund djem”, zbulohen detaje nga fëmijët
Vladimir Putin dhe Alina Kabaeva në 2008

MOSKË- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka dy djem të vegjël me ish-atleten Alina Kabaeva, Ivan dhe Vladimir, pretendon Qendra Dosier në hetimin e saj. Kjo është hera e parë që emrat e fëmijëve të tij bëhen publikë.

Në hetim thuhet se djali i parë i Putinit, Ivan, ka lindur në vitin 2015, ndërsa Vladimiri në vitin 2019. Gjithashtu janë zbuluar edhe fotot e tyre, por gazetarët nuk i publikuan për arsye etike. Fëmijët jetojnë me dokumente të ndryshme, udhëtojnë me avionë privatë dhe jahte të Putinit, nën mbrojtjen e SHFM (Shërbimi Federal i Mbrojtjes). Ata nuk shfaqen në publik dhe jetojnë në rezidenca presidenciale, sipas hetimit.

Burimi i Qendrës Dosier, pretendon se Putin kalon shumë kohë me fëmijët e tij. Studiuesi i Frontit Anti-Korrupsion (i themeluar nga Alexei Navalny) Georgy Alburov konfirmoi informacionin e Qendrës Dosier, duke shkruar se ai vetë kishte kryer një hetim të ngjashëm, por nuk e kishte publikuar atë.

Gazetarët kishin shkruar më parë se Putin dhe Kabaeva kanë fëmijë. Në veçanti, gazeta zvicerane SonntagsZeitung pretendoi në një artikull se Putin u bë baba i dy djemve në 2015 dhe 2019, njëri prej të cilëve lindi në Zvicër. Ai gjithashtu shkroi se Kabaeva lindi fëmijën e dytë në Moskë, nën mbikëqyrjen e një mjeku zviceran. Qendra Dosier e konfirmoi këtë informacion.

Sipas hulumtimit të Dosier, Ivan dhe Vladimir jetojnë në rezidencat e Putinit: konkretisht, në Valdai u krijua një shkollë enkas për ta. Fëmijët kanë roje dhe mësues privat, disa prej tyre nga Anglia. Pas pushtimit të Ukrainës, autoritetet arsimore të fëmijëve filluan të shfaqin preferencë për mësuesit e anglishtes nga Afrika e Jugut, të cilën autoritetet ruse e konsiderojnë një "vend mik". Sipas kushteve të punës, mësuesit nuk lejohen të largohen nga vendbanimi dhe se pak kontakte kanë me botën e jashtme.

Stafi arsimor nuk ka asnjë komunikim me prindërit. Ndër të tjera, kushërira e Alina Kabaevas, Oksana Fedina, bisedon me mësuesit duke u paraqitur si nëna e djemve. Djali i madh luan hokej (ndonjëherë me babanë e tij) në një shesh patinazhi të ndërtuar posaçërisht, por Alina Kabaeva e shikon lojën nga një galeri e mbuluar me xham të errët. Në fakt, Ivan, siç pretendon hetimi, merr pjesë në garat e gjimnastikës, por nuk specifikohet se ku zhvillohen këto gara.

Djemtë e Putinit shoqërohen me moshatarët gjatë festave dhe zakonisht janë fëmijë nga rrethi i ngushtë i Alina Kabaeva.

Mësuesit e djemve të Putinit, sipas hetimeve, e marrin rrogën e tyre përmes një klinike të rrjetit QIM (Qendra Ime mjekësore), në të cilën trajtoheshin mercenarët e organizatës Wagner të plagosur në Siri, Libi dhe luftën në Ukrainë, por edhe themeluesi i Ëagner Yevgeny Prigozhin. Kjo klinikë përdoret nga shumë miq dhe të njohur të Putinit.

Që nga viti 2020, të paktën 10 profesorë të huaj kanë nënshkruar kontratë me klinikën në fjalë. Ata janë renditur si përkthyes "por secili prej tyre merr shumë më tepër se sa mund të shpresonte të merrte një mësues kualifikuar". Hetimi raporton se mes mësuesve të fëmijëve të Putinit, përveç afrikano-jugorëve, kishte edhe britanikë dhe zelandezë.

Nuk ka asnjë koment nga Kremlini për hetimin. Putin kurrë nuk e ka pranuar publikisht se ka djem. Në të njëjtën kohë, ai ndonjëherë thoshte se në familjen e tij ka fëmijë me të cilët komunikon. Së fundmi ai kishte thënë se anëtarët më të vegjël të familjes po mësojnë gjuhën kineze.

Vladimir Putin, i cili u divorcua nga gruaja e tij e parë në vitin 2013, kurrë nuk e ka pranuar publikisht se ka jetuar me Alina Kabaeva. Në vitin 2022, Britania vendosi sanksione ndaj Kabaeva, e cila drejton Grupin Kombëtar të Medias.

Putin ka dy vajza të rritura nga martesa e tij e parë. Gazetarët zbuluan se ata janë Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova. Vetë Putini nuk e pranoi publikisht, por as nuk e mohoi drejtpërdrejt se ato janë vajzat e tij. /ZËRI

Poll

MOS HUMB