WASHINGTON- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arrestuar mbesën dhe stërmbesën e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i cili u vra nga një sulm ajror amerikan në Irak në vitin 2020. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, ato kishin jetuar në prej vitesh SHBA, por iu ndërpre statusi i tyre i ligjshëm i rezidentit të përhershëm nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio.
Po ashtu thuhet se mbesa e Soleimanit ka vazhduar të jetë një “mbështetëse e hapur” e regjimit iranian dhe se ajo ka promovuar “propagandën” e regjimit në SHBA. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rubio shkruan se familjaret e Soleiman jetonin në luks në SHBA, por ato do të dëbohen.
“Deri pak kohë më parë, Hamideh Soleimani Afshar dhe vajza e saj ishin mbajtëse të një karte të gjelbër dhe jetonin në luks në Shtetet e Bashkuara, ndërsa tani janë nën kujdestarinë e agjentëve të anti-emigracionit (ICE) dhe “do të dëbohen”. Afshar është mbesa e gjeneralit të ndjerë iranian Qasem Soleimani. Ajo është gjithashtu një mbështetëse e zjarrtë e regjimit iranian, e cila ka festuar sulmet kundër amerikanëve dhe i është referuar vendit tonë si ‘Satanai i Madh’. Këtë javë kam revokuar statusin ligjor si për Afshar ashtu edhe për vajzën e saj, të cilat tani janë nën kujdestarinë e ICE, në pritje për t’u dëbuar nga Shtetet e Bashkuara. Administrata Trump nuk do të lejojë që vendi ynë të bëhet një strehë për shtetas të huaj që mbështesin regjime terroriste anti-amerikane”, shkruan Rubio./ZËRI